Ronaldo e Suarez e ndajnë Këpucën e Artë
Cristiano Ronaldo dhe Luis Suarez do ta marrin nga një trofe të Këpucës së Artë pasi e mbyllën sezonin me nga 31 gola. Pas tyre janë renditur Messi, Costa e Ibrahimovic.

Sport
Do të jenë të nevojshme dy kopje të Këpucës së Artë, sepse në listën e golashënuesve më të mirë në Evropë, në pozitën e parë gjenden dy futbollistë: Cristiano Ronaldo e Luis Suárez.
Të dy kanë realizuar nga 31 gola në sezonin e rregullt, në La Liga dhe Premierligë, ndërsa pikët në renditje do t’i detyrojnë organizatorët t’i ndajnë dy trofe.
Portugezi i Real Madridit i ka zhvilluar 30 ndeshje, tri më pak se sulmuesi uruguaian i Liverpoolit.
Mirëpo, asnjërit nuk i ka mjaftuar kjo shifër e golave për ta ndihmuar ekipin përkatës për ta fituar titullin e kampionit.
Reali ka përfunduar i treti në La Liga, kurse Liverpooli i dyti në Premierligë, edhe pse e kishte në duar titullin, vetëm katër xhiro përfunduar sezoni.
Pas Ronaldos e Suarezit, në pozitën e tretë gjendet Lionel Messi me 28 gola, kurse Diego Costa është i katërti me 27.
Në pozitën e pestë gjendet Zlatan Ibrahimovic me 25. i vetmi futbollist që e ka kaluar shifrën e 31 golave është spanjolli Jonathan Soriano (Red Bull Salzburg), por liga austriake vlerësohet me kuotën e 1,5 pikëve, karshi 2 sa vlerësohen ligat më të forta evropiane.