Rohde: Kosova duhet të tregojë seriozitet për zbatimin e marrëveshjeve nga dialogu

Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, i cili po i afrohet fundit të mandatit të tij diplomatik në vend, ka theksuar rëndësinë e përmbushjes së obligimeve që rrjedhin nga marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut Kosovë–Serbi. Rohde ka nënvizuar se Kosova duhet të tregojë përkushtim dhe seriozitet në procesin e dialogut, duke veçuar si…

Lajme

25/09/2025 13:56

Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, i cili po i afrohet fundit të mandatit të tij diplomatik në vend, ka theksuar rëndësinë e përmbushjes së obligimeve që rrjedhin nga marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut Kosovë–Serbi.

Rohde ka nënvizuar se Kosova duhet të tregojë përkushtim dhe seriozitet në procesin e dialogut, duke veçuar si detyrim të rëndësishëm fillimin e zbatimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, raporton lajmi.net

“Siç e thashë, është në interes të barabartë të bashkësisë ndërkombëtare, institucioneve të Kosovës dhe të gjithë qytetarëve dhe komuniteteve në Kosovë që dialogu të përparojë me shpejtësi dhe që rruga drejt pranimit në BE të hapet. Megjithatë, secila palë në dialog duhet të bëjë pjesën e saj dhe të përmbushë detyrimet e saj,” ka deklaruar Rohde.

Ai ka theksuar se mungesa e përfaqësimit politik po ndikon negativisht në zhvillimet brenda vendit dhe në mbështetjen ndërkombëtare për Kosovën.

“Kosova është kryesisht e detyruar të krijojë një Kuvend dhe të formojë një qeveri të re. Qytetarët e Kosovës kanë pritur për më shumë se gjysmë viti që dikush t’i përfaqësojë ata, dhe vendi po humbet ngadalë gjithnjë e më shumë mbështetje financiare dhe politike sa më gjatë që i mungon përfaqësimi demokratik i qytetarëve të saj”, tha Rohde për Kosovo-Online.

Ambasadori shtoi se BE-ja dhe Gjermania janë të gatshme të ofrojnë mbështetje, por theksoi se përgjegjësia kryesore qëndron te institucionet vendore.

“Më lejoni të përsëris, Gjermania dhe BE-ja janë të gatshme dhe të vullnetshme të ndihmojnë, por Kosova së pari duhet të tregojë se e merr seriozisht dialogun dhe detyrimet e saj drejt normalizimit, siç është fillimi i zbatimit të marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe”, përfundoi Rohde./Lajmi.net/