Rizvanolli-opozitës: Po ju pengon vonesa për ndalimin e tregtisë me Serbinë, por jo 348 milionë eurot e paguara 25 vite për rrymën në veri
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka dhënë sqarime në Kuvendin e Kosovës lidhur me vendimin për ndalimin e tregtimit të energjisë elektrike me kompanitë serbe, duke thënë se kjo masë mund të përshkallëzohet nëse Serbia nuk i përmbush obligimet për lirimin e linjave të transmetimit. Rizvanolli ka thënë se çështja është ngritur që nga viti…
Lajme
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka dhënë sqarime në Kuvendin e Kosovës lidhur me vendimin për ndalimin e tregtimit të energjisë elektrike me kompanitë serbe, duke thënë se kjo masë mund të përshkallëzohet nëse Serbia nuk i përmbush obligimet për lirimin e linjave të transmetimit.
Rizvanolli ka thënë se çështja është ngritur që nga viti 2021, ndërsa ka shpjeguar kronologjinë e vendimmarrjes dhe arsyet pse Qeveria ka ndërmarrë këtë veprim në këtë kohë.
Sipas saj, në dhjetor të vitit 2025, Komiteti i Ministrave i Këshillit të Energjisë ka konstatuar shkelje ligjore nga Serbia për moslirimin e linjave dhe i ka dhënë afat deri më 1 korrik 2026 për përmbushjen e këtij obligimi.
“Vendimi i ka dhënë Serbisë afat deri më 1 korrik 2026 për t’i liruar linjat, kjo nuk ka ndodhur. BE-ja ka propozuar një zgjidhje me ndërmjetësimin e tyre, ne i kemi dhënë kohë, por nuk ka ndodhur”, ka deklaruar Rizvanolli.
Ajo ka thënë se Qeveria e ka njoftuar paraprakisht Bashkimin Evropian për vendimin, duke theksuar se pas konstatimit të shkeljes dhe kalimit të afatit ligjor, Kosova ka pasur bazë juridike për të vepruar.
Sa i përket tregtimit të energjisë elektrike me kompanitë serbe, ministrja ka deklaruar se KEDS, KESCO dhe KEK nuk kanë pasur transaksione me këto kompani gjatë mandatit të Qeverisë aktuale.
Ndërsa për kompanitë e tjera private që operojnë në tregun e derregulluar, ajo ka thënë se institucionet nuk kanë qasje në kontratat dhe transaksionet e tyre.
“Çfarë dimë me siguri është që, nëse ka pasur, në masën që ka pasur, kanë qenë të neglizhueshme dhe kjo nuk ka ndodhur nga operatorët kryesorë dhe aq më pak nga ndërmarrjet publike”, ka thënë ajo.
Rizvanolli ka theksuar se vendimi për ndalimin e tregtimit është masa e parë dhe se mund të ketë masa të tjera nëse Serbia nuk i liron linjat.
“Kjo është masë e parë që do të përshkallëzohet nëse nuk ka lirim të linjave”, është shprehur ministrja.
Ajo ka pranuar se aktualisht nuk mund të përcaktohet saktësisht ndikimi financiar i kësaj mase, pasi nuk dihen të gjitha transaksionet e kompanive të vogla private, por ka thënë se vendimi ka edhe karakter parandalues.
Gjatë diskutimit, Rizvanolli është pyetur edhe për kohën e marrjes së këtij vendimi dhe ndikimin e tregtimit të energjisë në të kaluarën.
Në përgjigjen e saj, ajo ka përmendur edhe shpenzimet për furnizimin me energji elektrike në veri të Kosovës, duke thënë se për këtë qëllim janë paguar 348 milionë euro.
“Është interesant me e ngritur ju një vonesë të tillë, dëmi i së cilës ka qenë shumë më i vogël. 348 milionë kemi paguar për energjinë elektrike në veri kur nuk është inkasuar”, ka deklaruar Rizvanolli.
Ministrja ka thënë se institucionet dhe operatorët kanë ndërmarrë masa për të minimizuar ndikimin financiar të situatave të mëparshme dhe se e njëjta qasje po ndiqet edhe këtë vit. /Lajmi.net/