Rizvanolli në takim me përfaqësues të ZRrE-së: Kërkoi informata shtesë për faktorët që çuan në rritjen e kostos së furnizimit

Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka pritur në takim konsultues përfaqësuesit e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) për diskutuar ne lidhje me procesin e shqyrtimit të tarifave të energjisë elektrike për vitin 2025. Siç thuhet në komunikatën e Ministrisë së Ekonomisë, Rizvanolli “ritheksoi komentet e dërguara me shkrim tek ZRrE, përfshirë: (i)…

Lajme

08/04/2025 21:06

Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka pritur në takim konsultues përfaqësuesit e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) për diskutuar ne lidhje me procesin e shqyrtimit të tarifave të energjisë elektrike për vitin 2025.

Siç thuhet në komunikatën e Ministrisë së Ekonomisë, Rizvanolli “ritheksoi komentet e dërguara me shkrim tek ZRrE, përfshirë: (i) që konsumatorët më konsum nën 800 kWh në muaj të mos preken nga rritja, që do të thotë që rreth 60% e familjeve të mos preken fare, dhe (ii) për të tjerët, pra rreth 35% që preken vetëm gjatë disa muajve të dimrit dhe 5% që e kalojë këtë konsum rregullisht, rritja të jetë sa më e ulët që është e mundur pa rrezikuar furnizimin, dhe të ketë edhe breze shtesë të konsumit mbi 800 kWh, ashtu që të mbrohen veçanërisht familjet që konsumojnë më pak”.

Në komunikatë thuhet se Rizvanolli kërkoi informata shtesë mbi disa prej faktorëve që kanë çuar tek rritja e kostos së furnizimit, si p.sh., çmimi i kapaciteteve të transmisionit, dhe kërkoi që këto çështje të trajtohen ne detaje nga ZRrE dhe nëse konstatohet që disa nga kostot kanë qenë të evitueshme, ato të mos barten tek konsumatorët por mbahen përgjegjës operatorët.

“Ministrja gjithashtu kërkoi që ZRrE të trajtojë me seriozitetin më të lartë dhe në mënyrë proaktive çështjen e uljes së humbjeve në rrjetin e shpërndarjes, përfshirë auditimin e investimeve të realizuara deri tani, dhe domosdoshmërinë për të ulur shpejt humbjet teknike dhe për të eliminimuar humbjet komerciale”.

“Në fund, Ministrja falënderoi ZRrE-në për sqarimet e ofruara dhe vlerësoi si praktikë të mirë mbajtjen e takimeve konsultative me institucionet dhe palët tjera të interesit. Njëkohësisht, Ministrja sugjeroi që ZRrE paralelisht me këto takime të intensifikojë edhe komunikimin publik, në interes të rritjes së transparencës institucionale gjatë vendimmarrjes dhe të kuptuarit më të mirë të proceseve dhe vendimeve nga ana e qytetarëve”, thuhet në njoftim.