Rizvanolli: Investimet në sektorin energjetik do të vazhdojnë në “B1” këtë vit
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka kundërshtuar ashpër pretendimet e opozitës se importet e energjisë elektrike kanë arritur në 259 milionë euro, duke i cilësuar këto deklarime si të pavërteta dhe të keqinterpretuara. Gjatë një debati në Kuvend, Rizvanolli tha se shifra e përmendur nga opozita është nxjerrë nga interpretimi i gabuar i të dhënave…
Lajme
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka kundërshtuar ashpër pretendimet e opozitës se importet e energjisë elektrike kanë arritur në 259 milionë euro, duke i cilësuar këto deklarime si të pavërteta dhe të keqinterpretuara.
Gjatë një debati në Kuvend, Rizvanolli tha se shifra e përmendur nga opozita është nxjerrë nga interpretimi i gabuar i të dhënave dhe se nuk është marrë parasysh fusnota e raporteve zyrtare, e cila sqaron se në statistika mund të përfshihet edhe energjia transit.
“Importi i energjisë ka qenë 167 milionë euro, pra 92 milionë euro më pak se sa është thënë dhe është përsëritur vazhdimisht”, deklaroi ajo.
Ministrja akuzoi opozitën për, siç u shpreh ajo, “shpifje të përsëritura”, duke theksuar se disa të dhëna janë paraqitur në mënyrë të gabuar për publikun.
Rizvanolli foli edhe për investimet në sektorin energjetik, duke thënë se gjatë mandatit aktual janë investuar rreth 621.8 milionë euro, ndërsa sipas saj, janë përmirësuar dhe modernizuar kapacitetet e KEK-ut, përfshirë termocentralet “Kosova A” dhe “Kosova B”.
Ajo shtoi se këto investime synojnë rritjen e sigurisë energjetike dhe zgjatjen e jetëgjatësisë së termocentraleve për rreth 20 vite, duke theksuar se Kosova pritet të bëhet neto-eksportuese e energjisë deri në vitin 2028.
“Po bëhen investime që nuk janë bërë për dekada. Kjo është arsyeja pse ka pasur rritje të përkohshme të importit, por që në të ardhmen do të sjellë stabilitet më të madh energjetik”, tha Rizvanolli.
Ajo kritikoi edhe qeverisjet e kaluara, duke përmendur periudha kur, sipas saj, prodhimi i energjisë dhe qymyrit ka qenë në nivelet më të ulëta historike për shkak të mungesës së investimeve dhe problemeve me shpronësimet.
Rizvanolli theksoi se sektori i energjisë nuk mund të trajtohet në mënyrë të shkëputur nga e kaluara dhe investimet aktuale janë, sipas saj, të domosdoshme për stabilitet afatgjatë. /Lajmi.net/