Rita Ora: Komuniteti LGBTQIA+ janë heronjtë e individualitetit
Rita Ora ka ndezur zyrtarisht verën me këngën e saj më të re, “Heat”, një himn i gëzueshëm e provokues, i publikuar në të njëjtën ditë me performancën e saj në World Pride Music Festival në Washington D.C. Kjo këngë vjen si hyrje në një fazë të re artistike për këngëtaren shqiptare me famë botërore,…

ShowBiz
Rita Ora ka ndezur zyrtarisht verën me këngën e saj më të re, “Heat”, një himn i gëzueshëm e provokues, i publikuar në të njëjtën ditë me performancën e saj në World Pride Music Festival në Washington D.C.
Kjo këngë vjen si hyrje në një fazë të re artistike për këngëtaren shqiptare me famë botërore, e cila zbulon se pas saj fshihet një shpërthim emocional dhe artistik.
“Më duhej të shpërtheja – me lumturi, seksualitet, guxim dhe gjithë çfarë përfaqëson feminiteti. ‘Heat’ është hyrja perfekte në botën që po ndërtoj”, – thotë Rita për Numéro Netherlands.
Edhe pse albumi i saj i ardhshëm nuk është i frymëzuar tërësisht nga vera, ajo e quan “Heat” një portë të çmuar për të prezantuar energjinë e re me të cilën po rikthehet në skenë. Në këtë projekt, Rita nuk ka dashur të përmbahet.
“Këtë herë jam qëllimisht e hapur. Nuk dua të kem frikë. Dua të jem e guximshme. Të dal jashtë kufijve”.
Për Ritën, publikimi i këngës pikërisht në Muajin e Krenarisë nuk ishte rastësi. Kjo ishte një zgjedhje simbolike për të nderuar komunitetin që, sipas saj, i ka dhënë gjithnjë mbështetje dhe frymëzim.
“Komuniteti LGBTQIA+ janë heronjtë e individualitetit. Ata më kanë mësuar çfarë do të thotë të jesh vetja dhe të luftosh për atë që beson”.
Me mbi 10 miliardë dëgjime globale dhe 13 këngë në Top 10 në MB, Rita Ora mbetet një ndër artistet më të suksesshme të kohës moderne. Ajo është gjithashtu një nga të parat që ka marrë BRIT Billion Award – një dëshmi e ndikimit të saj në industrinë e muzikës britanike dhe globale.
Por energjia e saj nuk përfundon vetëm në muzikë. Në vitin 2024, Rita lansoi brendin e kujdesit për flokët ‘Typebea’, në bashkëpunim me Anna Lahey. Ai fokusohet te shëndeti i lëkurës së kokës dhe rritja natyrale e flokëve.
“Flokët e mi stilohen çdo ditë. Nuk gjeja produkte që m’i mbronin siç duhet, ndaj vendosa t’i krijoj vetë”, tha ajo, transmeton telegrafi.
Rita, ndërkohë, po zgjeron edhe praninë në botën e filmit – me role në projektet “He Bled Neon”, “Voltron” dhe “Descendants: Wicked Wonderland”, ku luan rolin e një mbretëreshe të keqe.
“Roli im si mbretëreshë e keqe është thjesht argëtim i pastër! Më pëlqen të zhytëm në karaktere që më sfidojnë dhe nuk më ngjajnë aspak mua”, thekson Ora.
Si një artiste që është rritur në sy të publikut, Rita ka mbetur gjithnjë e lidhur me bazën e fansave që e ka ndjekur që nga ditët e para të karrierës.
“Jam rritur në një kohë kur bliheshin ende CD fizike. Kjo më ndihmoi të krijoj një lidhje të vërtetë me publikun – dhe mendoj se kjo lidhje nuk është ndërprerë kurrë”, thotë Rita.
Sot, ajo shihet si një ikonë kulturore, e cila përfaqëson vajzat dhe artistët me prejardhje të ndryshme.
“Kam qenë gjithmonë krenare për rrënjët e mia. Jam vajza e prindërve emigrantë, dhe dua ta tregoj këtë histori me zë të lartë. Të jesh ndryshe është aset”, thotë këngëtarja.
Për pjesën tjetër të vitit, Rita premton një album të ri, filma të rinj dhe shumë koncerte live për fansat që e kanë ndjekur në çdo hap të rrugëtimit të saj.
“Faleminderit që më keni përkrahur gjithë këto vite. Nuk ka asgjë më të bukur sesa të performoj live për ju. Shihemi shumë shpejt!”.