Rinumërimi i votave mund t’i bëjë vend Nismës në Kuvend

Rinumërimi i votave në 314 vendvotime nuk do të mundë ta përmbysë rezultatin mes dy partive të para, LVV-së e LDK-së. Mirëpo sipas njohësve të çështjeve politike, ky rinumërim ka gjasë që koalicionit Nisma – AKR – PD t’ia sigurojë ulëset në Kuvendin e Kosovës.

Lajme

12/10/2019 08:21

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve gjatë ditës së enjte nisi rinumërimin e votave në 314 vendvotime, për shkak të disa gabimeve teknike që kishin ndodhur gjatë numërimit.

Ndonëse ende nuk ka nisur numërimi i votave të diasporës, votave me kusht dhe të atyre të personave me nevoja të veçanta, rinumërimi i votave të rregullta mund të sjellë ndryshime në rezultatin mes dy partive të para, por jo edhe përmbysje.

Sipas njohësve të çështjeve politike, numërimi dhe rinumërimi i këtyre votave mund të sjellë ndryshime edhe në rezultatet e partive më të vogla, që dolën pas zgjedhjeve të 6 tetorit. Sipas tyre, ekzistojnë mundësitë që pas numërimit të tërësishëm të votave koalicioni Nisma – AKR – PD ta kalojë pragun zgjedhor prej 5 për qind.

Analistët theksojnë se kalimi i pragut nga Nisma do të ishte mirë për skenën politike, sepse do të mundë të ekuilibronte çfarëdolloj koalicioni e madje edhe ta stabilizojë skenën politike kosovare.