Rinumërim të votave në Klinë

KQZ është urdhëruar nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa që të numërojë fletovitimet në disa Qendra të Votimit në Klinë. Në vendimin e PZAP thuhet se ka padrejtësi serioze, meqë ka mospërputhje të rezultateve në mes të nënshkrimeve dhe fletëvotimeve.

Lajme

19/11/2013 08:10

(E plotësuar 12:34)

Pas vendimit të PZAP’it, KQZ ka vendosur që të rinumërohen 12 vendvotime në Komunën e Klinës.

Në fakt, vendimi i PZAP nuk s’pritur mirë nga disa anëtar të  KQZ’së të cilët kanë pasur dilema nëse ai ka bazë ligjore.

Në votimin e parë KQZ s’ka arritur të sigurojë shumicën për të vendosur për numrimin e 12 vendvotimeve në Klinë. Tek pas një pauze të kërkuar nga kryetarja e KQZ’së, Valdete Daka, është arritur që të kalohet ky vendim.

Daka tha se ky vendim i KQZ vjen si pasojë e vendimit të  PZAP, që sipas saj, është një institucion i cili i përgjigjet asnjë institucion tjetër.

“Kjo është si pasojë e PZAP. Tash a është ligjor apo jo, unë s’kam kompetencë që të vendosi”

Binjak Vishaj, Anëtar i AAK’së në KQZ  votoi kundër, ndërsa Adnan  Rrustemi i Vetëvendosjes abstenoi.

Vishaj tha se ai votoi kundër sepse ky vendim nuk ka bazë ligjore.

“Unë votova kundër sepse këtu nuk ka asgjë ligjore”.

Betim Gjoshi nga PDK tha se me këtë vendim të KQZ do të hap rrugën që të mos prolongohet kjo çështje.

 

 PZAP urdhëron KQZ’në: Rinumërim të votave në Klinë    

 

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, i njohur si PZAP, ka udhëruar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që të numërojë fletvotimet në një numër të konsiderueshëm të Qendrave të Votimit në Klinë.

PZAK e ka marrë këtë vendim pas një ankese që ka bërë Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila është vlerësuar e bazuar dhe e mbështetur në fakte.

Në arsyetimin e PZAP thuhet se në publikimin e rezultatit përfundimtar nga KQZ, janë bërë mospërputhje të rezultateve në mes të nënshkrimeve dhe fletëvotimeve në këto Qendrat e Votimit për të cilat është vendosur të ketë rinumërim të votave.

PZAP, në vendimin e siguruar nga lajmi.net, vlerëson se këto veprime përfaqësojnë padrejtësi serioze “në bazë të nenit 199, Paragrafi 5 i LZP’së“.

“Nga këto arsye e me qëllim të evitimit të këtyre lëshimeve të lartë cekura është vendosur si në dispozitiv në bazë të nenit 115.1 e lidhur me nenin 119.5 të LZP’së, për shkak se në dispozitën e nenit 119.5 të LZP’së parashihet se, PZAP’i mundet që sipas vendimit të tij të shqyrtojë çështje të cilat përndryshe janë nën juridiksionin e tij kur kjo është rreptësisht e domosdoshme për të parandaluar padrejtësi serioze”.

KQZ është urdhëruar që të bëjë rinumrimin e fletëvotimit në këto Qendra të Votimit:

(QV) 0801c- Vevdovitmi (VV) 11D; QV 0803c- VV02R; QV 0805c- VV 03R, QV 0806c VV 04 D, QV 0807cc, VV 01R, QV 0807c, VV 04R, QV 0811c, VV 03D, QV 0814c, VV 02R, QV 0815c, VV 02D, QV 0816c, VV 02, QV 0817 c, VV 02D, QV 0818c, VV 01D.

KQZ ka urdhëruar që ky numërim të përfshihet në rezultatin përfundimtar të Zgjedhejve Lokale të 3 Nëntorit.

Këtë vendim PZAP e ka marrë duke u bazuar në një ankesë të Degës së LDK’së në Klinë.

“Subjekti politik LDK, Dega në Klinë, ka parashtruar ankesë me të cilën pretendon se në rezultatet e publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka mospërputhje në mes të numrit të nënshkrimeve dhe numrit të fletëvotimeve në kutitë e votimit”, thuhet në vendimin e PZAP të firmosur nga Kryesuesi i Panelit, Muhamet Rexha.

“Sipas pretendimeve të parashtruesit të ankesës, ekziston një mospërputhje e rezultateve në mes të rezultateve preliminare të shpallura nga KQZ’ja dhe gjendjes faktike të argumentuar në formularët e përputhjes së të dhënave dhe rezultateve të nënshkruara nga komisionarët e të gjitha partive politike”.

“Parashtruesi i ankesës pretendon se mospërputhjet e lartë përmendura kanë deformuar rezultatet dhe mund të kenë ndikuar në rezultatet përfundimtar të zgjedhjeve për Kryetar Komune dhe për këto arsye ka propozuar që të aprovohet ankesa”.

“PZAP i shqyrtoi pretendimet ankimore dhe shkresat tjera të lëndës e pas vlerësimit të gjithanshëm të tyre gjeti se janë mospërputhje të rezultateve në mes të nënshkrimeve dhe fletëvotimeve në këto Qendrat e Votimit”..

Në Klinë deri në momentet e fundit nuk është ditur kush do të shkoi në balotazh, për shkak të një gare të ngushtë mes Kandidatit të AAK’së, Enver Berisha dhe atij të LDK’së, Fadil Gashi. 

Sipas rezultateve përfundimtare të shpallura ngz KQZ, Sokol Bashota i PDK’së, që është Kryetar aktual i Komunës së Klinës, ka marrë 7,976 ose 42,52 për qind.

Kandidati i AAK’së, Enver Berisha 4,575 vota ose 24,39 për qind. 

Ndërsa Kandidati i LDK’së, Fadil Gashi, 4,463 vota ose 23,79 për qind. 

Ndërsa sipas rezultateve preliminare Kandidati i AAK’së ka marrë 4.517 vota ose 24,31 për qind, ai i LDK’së, 4.418 vota ose  23,78 për qind ndërsa kandidati i PDK’së,  7.933vota ose 42,70 për qind.

Rinumërimi i votave mund edhe ta ndërrojë rivalin e Sokol Bashotës në balotazhin që do të zhvillohet me 1 Dhjetor.