Rinis seanca, Haxhiu nis t’i thërrasë një nga një deputetët e opozitës për të shkuar në seancë

Në nisje të seancës për zgjedhjen e presidentit, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, u ka bërë sërish thirrje deputetëve të opozitës që të jenë të pranishëm në sallë dhe të marrin pjesë në votim, duke u bazuar në detyrimet për pjesëmarrje në punimet e Kuvendit nga aktgjykime të ndryshme dhe sipas Ligjit për Deputetët. Sipas…

Lajme

28/04/2026 14:43

Në nisje të seancës për zgjedhjen e presidentit, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, u ka bërë sërish thirrje deputetëve të opozitës që të jenë të pranishëm në sallë dhe të marrin pjesë në votim, duke u bazuar në detyrimet për pjesëmarrje në punimet e Kuvendit nga aktgjykime të ndryshme dhe sipas Ligjit për Deputetët.

Sipas këtij ligji, deputetët kanë obligim të marrin pjesë në seanca dhe të njoftojnë Kryetarin e Kuvendit për mungesat e tyre.

“I lus ata që të vijnë në këtë seancë, ku si pikë e rendit të ditës është zgjedhja e Presidentit të Republikës së Kosovës”, tha Haxhiu.

Haxhiu tha se e vetmja deputete që ka marrë leje për të mos qenë e pranishme sot është Afërdita Hajrizi, nga grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, e cila mungon për arsye shëndetësore.

Megjithatë, Gjykata Kushtetuese kishte sqaruar më 2016, në rastin e zgjedhjes së ish-presidentit Hashim Thaçi, se nuk është kriter kushtetues që të gjithë 120 deputetët të jenë të pranishëm dhe të votojnë për zgjedhjen e presidentit, por mjafton përmbushja e shumicës së përcaktuar në Kushtetutë prej 80 deputetësh.

Po ashtu kryetarja Haxhiu ka nisur që me emra të përvecshëm t’i thërrasë deputetët që të vijnë në seancë.

Duke nisur nga Adem Hoxha, Arben Gashi, Arben Mustafa e tutje, Haxhiu nisi t’i thërrasë një nga një që të paraqiten në seancën e Kuvendit./Lajmi.net/