Rikthimi i mundshëm i Osmanit në LDK, Matoshi: Opozita ta çmontojë propagandën e Kurtit dhe VV-së, Guxo në zgjedhje s’i merr as 2%

Skena politike në Kosovë po përjeton zhvillime të rëndësishme pas dorëheqjes kolektive të degës së GUXO-s në Deçan, dorëheqjes së Haxhi Avdylit si dhe spekulimeve për një bashkim të mundshëm “të së djathtës”, ku një rol të rëndësishëm mund të ketë edhe presidentja Vjosa Osmani. Kryetarja e degës së GUXO-s në Deçan, Rabije Haklaj, njoftoi…

Lajme

12/03/2026 15:16

Skena politike në Kosovë po përjeton zhvillime të rëndësishme pas dorëheqjes kolektive të degës së GUXO-s në Deçan, dorëheqjes së Haxhi Avdylit si dhe spekulimeve për një bashkim të mundshëm “të së djathtës”, ku një rol të rëndësishëm mund të ketë edhe presidentja Vjosa Osmani.

Kryetarja e degës së GUXO-s në Deçan, Rabije Haklaj, njoftoi se bashkë me kryesinë kanë vendosur të japin dorëheqje nga të gjitha strukturat e partisë, duke përfshirë edhe dorëheqjen kolektive dhe të parevokueshme të degës së Deçanit.

“Kur në shkurt të vitit 2021, para qytetarëve të Republikës së Kosovës, si koalicion i përbashkët iu drejtuam qytetarëve dhe fituam besimin e tyre me 51.28%, në atë fushatë zgjedhore bashkërishtë kërkuam mbështetjen e qytetarëve me një zotim të qartë: Znj. Vjosa Osmani që të jetë Presidente** ndërsa z. Albin Kurti Kryeministër. Po ashtu, para qytetarëve u zotuam se, për të paktën dy mandate, duke qenë se vendi kishte aq shumë nevojë për ndryshime, do të vazhdojmë së bashku me këtë konstelacion politik që dy liderët tanë të mbajnë këto pozicione që nënkuptonte se Presidentja znj. Osmani tani edhe mandatin e dyte e mbi standartin e vendosur po nga ato zgjedhje se, në dy pozitat drejtuese më të larta të Republikës, të kemi figura që gëzojnë mbështetjen më të madhe të të gjithë qytetarëve”, ka shkruar Haklaj.

Ndryshe mbrëmë kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka folur për mundësinë e krijimit të një blloku të madh të së djathtës në Kosovë, duke theksuar se në këtë projekt një rol të rëndësishëm do ta kishte edhe Vjosa Osmani.

Ai shtoi se Osmani aktualisht mban postin e presidentes dhe për këtë arsye nuk mund të flitet më gjerësisht për angazhime politike, por në një projekt të madh të së djathtës ajo do ta kishte vendin e saj të padiskutueshëm ndonjëherë.

“Është koha për bashkim të madh dhe jo për interesa individuale. Nuk kemi njerëz për të humbur dhe të gjitha potencialet duhet të bashkohen,” tha ai.

Analisti politik Halil Matoshi duke komentuar zhvillimet e fundit në vend i tha Lajmi.net se GUXO nuk ekziston si subjekt politik autonom dhe se po të dilte e vetme në zgjedhje nuk do merrte as 2 për qind të votave.

“Guxo është një listë që garon me emrin e Albin Kurtit dhe sipas sondazheve (2025) ajo po të dilte e vetme në zgjedhje nuk merr as 2% të votave. Ata që sot në Kuvend thirrën në Guxo janë deputetë të zgjedhur nga elektorati i VV-së. Pra Guxo nuk ekziston si subjekt politik autonom”, tha ai.

Matoshi gjithashtu komentoi ndikimin e mundshëm të rikthimit të Vjosës në LDK, duke theksuar se “krijimi i një blloku të djathtë si kundërpeshë të majtës, ne një lider opozitar brutalist, sepse Kurti është brutalist politik mund ta përfshijë Vjosa Osmanin dhe kjo mund t’i ndryshojë ekuilibrat në hartën politike të Kosovës.”

“Krijimi i një blloku të djathtë si kundërpeshë të majtës, ne një lider opozitar brutalist, sepse Kurti është brutalist politik mund ta përfshijë Vjosa Osmanin dhe kjo mund t’i ndryshojë ekuilibrat në hartën politike të Kosovës”, u shpreh ai.

Ai paralajmëroi gjithashtu për pasojat e dominimit të VV-së në pushtet, duke kritikuar opozitën se nuk arrinë me e çmontu amplifkimin e propagandës së VV dhe manipulimin masiv nuk mund ta marrë pushtetin së paku edhe një dekadë.

“E majta e Kurtit ka ardhë në pushtet dhe e mbanë atë, përmes krijimit të gjendjeve të jashtëzakonshme (situatave të krizave) dhe propagandës. Opozita nëse nuk arrinë me e çmontu amplifikimin e propagandës së VV dhe manipulimin masiv nuk mund ta marrë pushtetin sëpaku edhe një dekadë”, tha Matoshi për lajmi.net

Vendi në javët e fundit është përballur me një bllokim tjetër politik, këtë herë lidhur me çështjen e zgjedhjes së presidentit, ndërsa afati kushtetues për emërimin e kreut të shtetit ka kaluar.

Vendimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese pritet të sqarojë në mënyrë definitive situatën institucionale dhe fatin e legjislaturës aktuale. Ky afat është deri më 31 mars, kur edhe Gjykata Kushtetuese pritet të jap fjalën përfundimtare dhe të dihet s’i të vazhdohet tutje.

Vjosa Osmani ndryshe do të mund të qëndrojë në postin e presidentes deri më 5 prill. Osmani e synonte edhe një mandat të dytë, mirëpo emrin e saj nuk e ka propozuar askush e kësisoj situata u komplikua.

Për partinë në pushtet, ajo nuk i ka pasur votat e nevojshme, ndërsa për partitë e tjera ajo nuk e ka personifikuar unitetin e nevojshëm që i duhet figurës së presidentit./Lajmi.net/