Rikthimi i gjyqtarëve në veri, Zogaj: Jo marrëveshje të dytë për integrimin

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj, ka deklaruar se gjyqësori ka qëndruar konsekuent në zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe se nuk preferon një marrëveshje të dytë për integrimin e stafit serb në veri, pasi një proces i tillë do ta politizonte sistemin e drejtësisë. “Se a do të shndërrohet çështje që do…

Lajme

09/06/2025 19:37

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj, ka deklaruar se gjyqësori ka qëndruar konsekuent në zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe se nuk preferon një marrëveshje të dytë për integrimin e stafit serb në veri, pasi një proces i tillë do ta politizonte sistemin e drejtësisë.

“Se a do të shndërrohet çështje që do të diskutohet në Bruksel nuk varet nga ne, por nuk preferojmë të diskutohet sepse konsiderojmë që Kosovës nuk i duhet një marrëveshje e dytë e integrimit, ajo ishte kompromisi më i madh, brenda atij konteksti mund t’i shikojmë mundësitë. Përndryshe nëse shndërrohet në nivel diskutimi politik mund të hapen tema që do të ishin të papranueshme për gjyqësorin”, ka theksuar ai.

Kryesuesi i KGJK-së, Albert Zogaj  ka theksuar se rikthimi i mundshëm i gjyqtarëve dhe stafit serb duhet të ndodhë përmes kërkesës së tyre individuale dhe të vlerësohet brenda sistemit, bazuar në kritere profesionale.

Zogaj ka deklaruar për RTK-në se çështja e rikthimit të gjyqtarëve është çështje e brendshme e sistemit gjyqësor dhe se nuk duhet të ngrihen diskutime politike për këtë.

Gjyqtarët, prokurorët dhe stafi administrativ nga komuniteti serb në Gjykatën dhe Prokurorinë Themelore në Mitrovicë dhanë dorëheqje në nëntor të 2022, pas vendimit të qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e veturave me targa të lëshuara nga Serbia në ato RKS, duke shmangur përfshirjen e individëve me përfshirje politike apo kriminale.