Rikonstruktimi i rastit të Jeton Temajt, nuk sillet vetura që ishte në rast- Nëna e viktimës s’i ndal dot lotët teksa kërkon drejtësi
Rrezet e diellit sot padyshim se nuk ishin më të papërballueshme se dhimbja që po përjeton nëna Kumrije. Nëna Kumrije është duke vazhduar që vetë të merret nga afër me rastin e djalit të saj, Jeton Temajt. E njëjta sot mori rrugën sërish për në Klinë në vendin ku edhe supozohet se kishte ndodhur ngjarja…

Lajme
Rrezet e diellit sot padyshim se nuk ishin më të papërballueshme se dhimbja që po përjeton nëna Kumrije.
Nëna Kumrije është duke vazhduar që vetë të merret nga afër me rastin e djalit të saj, Jeton Temajt.
E njëjta sot mori rrugën sërish për në Klinë në vendin ku edhe supozohet se kishte ndodhur ngjarja tragjike ku vdiq djali i saj i vetëm.
Pavarësisht kërkesës së saj të vazhdueshme që në rikonstruktim të rastit të merret vetura që kishte qenë në këtë rast, kjo gjë nuk u bë.
Në rikonstruktim të rastit sot u morë një veturë tjetër dhe jo ajo e rastit.
Madje Kumrie Temaj nuk u la as të qëndronte në vendin ku po bëhej rikonstruimi.
I pandehuri Eraj Temaj akuzohet për rrezikim të trafikut publik, ku si pasojë e aksidentit kishte vdekur 22 vjeçari, Jeton Temaj.
Nëna e viktimës, Kumrija vazhdimisht ka kërkuar vënie të drejtësisë në vend në lidhje me këtë rast e cila shpesh herë ka thënë se djalin e saj e vranë. Më 27 maj 2022 ajo kuptoi se djali i saj kishte ndërruar jetë në rrethana të dyshimtë, ndërsa në momentin kur është kthyer rezultati i autopsisë së tij ishte theksuar se “Vdekja e të ndjerit është vdekje e dhunshme dhe ka ardhë si rrjedhojë e gjakderdhjes në mes të cipave mbështjellëse të trurit të madh dhe në indin trunor”.
Lajmi.net ka përcjellur nga afër edhe zhvillimet e sotme.
Tejet e emocionuar është parë sërish gruaja e cila po kërkon me ngulm që ky rast të hetohet e të çohet deri në fund.
“Ata e bënë rrezikim i trafikut publik kurse në autopsi shkruan tjetër sen, e mos me më lanë aty. Kam me shku edhe më nalt e drejtësinë djalit e atë kriminel s’kam me lanë në liri. Me ma mbyt djalin me ma mshel derën. Jena në Kosovë a ku jena? A ka ligj për djalë temin, ai shëtitet poshtë e përpjetë”, dëgjohet duke thënë ajo.
“S’ka pas të drejtë me më hek prej aty. E du drejtësinë e djalit tem. Po drejtësi nuk ka, po shihet me sy nuk ka”.
Ndërsa familjari tjetër i viktimës tha se “për me mbyt një qen shkon tri-katër vjet në burg, e me mbyt njeri asnjë ditë. Këta po shtinë me u mbytë ndërmjet vete. Ky ligj thotë shko vraje në shtëpi të veten”.
“Njani thotë ashtu, njani ashtu-Kam me çu rastin te krimet e rënda e kam me bë padi. Në autopsi ka tjetër sen, e këtu thonë tjetër sen. Djalë hasreti ma kanë mbyt”,shtoi nëna Kumrije.
Ajo thotë se i pandehuri e ka fshehur veturën “që e ka vrarë djalin e saj”.
Ndryshe, sipas aktakuzës, i akuzuari Eraj Temaj, po akuzohet se ka kryer veprën penale “Rrezikim i trafikut publik”, sepse më 27 maj 2022, rreth orës 21:14 në fshatin Shtupel të Klinës, nga pakujdesia kishte shkelur ligjin mbi trafikun publik apo transportin rrugor dhe rrezikoi jetën e njerëzve, e cila rezultoi me vdekjen e këmbësorit tani të ndjerit J.T.
Në aktakuzë thuhet se derisa i pandehuri Temaj, ishte duke qëndruar në rrugë së bashku me shokët e tij, në një moment niset me automjetin e tij me qëllim që ta largojë veturën nga rruga, aty viktima J.T., njëri nga shokët e të pandehurit ishte ulur mbi bagazh të automjetit, i akuzuari Temaj nuk e vëren fare këmbësorin e ulur mbi bagazh të veturës së tij dhe gjatë lëvizjes së veturës J.T humb stabilitetin e tij fiksues dhe për pasojë rrëshqet dhe bie në sipërfaqe të fortë asfalt duke rënë me kokë, me ç‘rast pëson lëndime të rënda trupore, ku gjatë trajtimit mjekësor pranë QKUK-së, në Prishtinë, i njëjti ndërron jetë më datë 16 korrik 2022, si pasojë e aksidentit./Lajmi.net/