Rikalo: Do të ndërmarrim masa për tejkalimin e problemeve në sektorin e mjedrës

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural do të ndërmarrë hapa konkretë për tejkalimin e vështirësive të krijuara ditëve të fundit në sektorin e mjedrës. Krahas kësaj, MBPZHR-ja do të shqyrtojë edhe mundësinë për të ndryshuar metodologjinë e subvencionimit të këtij sektori që nga viti i ardhshëm.

Lajme

27/07/2018 16:01

Këto u konstatuan sot, në takimin që Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Nenad Rikalo pati me kryetarin e Shoqatës së Kultivuesve të Mjedrës, Sami Uka.

 Ministri Rikalo, theksoi se do t’i përkrah në vazhdimësi kultivuesit e mjedrës dhe u premtoi se do t’i ndërmarrë të gjitha masat për të tejkaluar krizën e shkaktuar gjatë këtyre ditëve në sektorin e mjedrës. “Si ministri do të shqyrtojmë edhe mundësinë për të ndryshuar metodologjinë e subvencionimit të këtij sektori që nga viti i ardhshëm, ku për këtë çështje do ta krijojmë edhe një grup punues, i cili do të merret me këtë problem, me qëllim të tejkalimit të situatës së krijuar ditëve të fundit, pavarësisht se këta kultivues sivjet po përkrahen me nga 400 euro për hektarë të mbjellë, si dhe përmes granteve investive në vlerë prej rreth 2.5 milionë euro. Prandaj do të shohim  mundësinë që këtë formë të mbështetjes ta ndryshojmë nga viti ardhshëm”, ka thënë ministri Rikalo.

Ai ka theksuar se do të pritet deri sa të bëhet grumbullimi i mjedrës këtë vit, ku do të kenë edhe të dhënat për sasinë e mbjellë të kësaj kulture bujqësore, që sipas tij në bazë të kësaj saj të vendoset edhe për mënyrën e përkrahjes së sektorit të mjedrës, në të cilin gjatë këtij viti janë paraqitur probleme.

Nga ana tjetër, kryetari i Shoqatës së Kultivuesve të Mjedrës, Sami Uka, falënderoi ministrin për gatishmërinë e tij për bashkëpunim dhe për përkrahjen që po i jep në vazhdimësi këtyre prodhuesve me qëllim të tejkalimit të problemeve./Lajmi.net/