Rigjykimi për tenderin e Policisë, Jeton Menxhiqi dënohet me një vit burg dhe ndalim trevjeçar të ushtrimit të funksionit në administratë
Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me një vit burgim Jeton Menxhiqin, i akuzuar lidhur me tenderin për rroba elegante të Policisë. Gjykatësja e rastit, Alltëne Murseli, tha se Menxhiqi do të përballet gjithashtu me ndalim të ushtrimit të funksionit në administratën publike për tre vjet. Gjykata bëri të ditur se palët e pakënaqura…

Lajme
Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me një vit burgim Jeton Menxhiqin, i akuzuar lidhur me tenderin për rroba elegante të Policisë.
Gjykatësja e rastit, Alltëne Murseli, tha se Menxhiqi do të përballet gjithashtu me ndalim të ushtrimit të funksionit në administratën publike për tre vjet.
Gjykata bëri të ditur se palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese brenda 30 ditësh nga marrja e aktgjykimit në formë të shkruar.
Ndryshe, në seancën e mbajtur më 27 shkurt 2025, i akuzuari Menxhiqi është deklaruar për herë të tretë i pafajshëm për keqpërdorim të detyrës zyrtare, pas kthimit të çështjes në rigjykim nga Gjykata e Apelit për herë të dytë.
Më 21 qershor 2021, Menxhiqi u dënua për herë të parë me një vit e gjashtë muaj burgim efektiv. Në shkurt 2022, rasti i tij u kthye në rigjykim. Më pas, në janar 2024, Menxhiqi u dënua me dy vite burgim me kusht. Por, çështja është kthyer sërish në rigjykim nga Apeli.
“Betimi për Drejtësi” në shkurt 2019 kishte publikuar hulumtimin me titullin “Korrupsioni në prokurimin e Policisë”. Një muaj e gjysmë pas transmetimit të emisionit, Prokuroria Themelore në Prishtinë ngriti aktakuzë ndaj Menxhiqit.
Sipas aktakuzës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se më 8 gusht 2017, në ndërtesën e Policisë së Kosovës në Prishtinë, i pandehuri Jeton Menxhiqi, në cilësinë e personit zyrtar, si anëtar i komisionit në tenderin “Furnizim me rroba elegante”, në numër të prokurimit 214/17/048/111, i cili përfaqësonte Drejtorinë e Hetimeve Kundër Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, ka shfrytëzuar detyrën zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete apo personin tjetër.