Rifillojnë më 30 tetor seancat në rastin “Thaçi dhe të tjerët” në Hagë

Pas një pauze të shkurtër, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë do të rifillojnë më 30 tetor seancat gjyqësore në rastin e njohur si “Thaçi dhe të tjerët”, ku po gjykohen Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi. Sipas njoftimit zyrtar, seanca e radhës do të nisë në orën 09:00, ndërsa me…

Lajme

25/10/2025 21:42

Pas një pauze të shkurtër, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë do të rifillojnë më 30 tetor seancat gjyqësore në rastin e njohur si “Thaçi dhe të tjerët”, ku po gjykohen Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Sipas njoftimit zyrtar, seanca e radhës do të nisë në orën 09:00, ndërsa me të njëjtin orar pritet të vazhdojnë edhe seancat e datave 1 dhe 2 nëntor. Pas këtyre datave, gjykimi do të ndërpritet përkohësisht, duke vijuar sërish në gjysmën e dytë të nëntorit, transmeton lajmi.net.

Trupi gjykues ka rishikuar së fundmi afatet për paraqitjen e mocioneve dhe ka udhëzuar mbrojtjen e ish-presidentit Thaçi që të shqyrtojë të gjitha opsionet e mundshme për të siguruar pjesëmarrjen e dëshmitarëve në të gjitha seancat e planifikuara nga 3 nëntori.

Mbrojtja është urdhëruar të raportojë për këto përpjekje deri më 29 tetor.

Në njoftimin e Dhomave të Specializuara theksohet gjithashtu se:

“Seancat dëgjimore të datave 27-30 tetor u anuluan pasi Mbrojtja e Thaçit njoftoi Trupin Gjykues se nuk kishte dëshmitarë të disponueshëm për atë javë. Për këtë arsye, është shtuar një javë shtesë seancash, nga 17 deri më 20 nëntor, për të kompensuar ditët e papërdorura të gjykimit në muajin shtator”./lajmi.net/