Rezervat Shtetërore- Rozeta Hajdari dhe tre të akuzuarit e tjerë dalin sot para trupit gjykues
Ministrja në detyrë e Tregtisë, Rozeta Hajdari, bashkë me Irfan Lipovicën, Hafiz Garën e Ridvan Muharremin, sot pritet të dalin para Gjykatës si të dyshuar në lidhej me rastin e keqpërdorimeve në rastin e njohur si “Rezervat shtetërore”. Seanca pritet të nis në ora 09:30. Kjo seancë ishte paraparë të mbahej më 10 dhjetor, por…
Lajme
Ministrja në detyrë e Tregtisë, Rozeta Hajdari, bashkë me Irfan Lipovicën, Hafiz Garën e Ridvan Muharremin, sot pritet të dalin para Gjykatës si të dyshuar në lidhej me rastin e keqpërdorimeve në rastin e njohur si “Rezervat shtetërore”.
Seanca pritet të nis në ora 09:30.
Kjo seancë ishte paraparë të mbahej më 10 dhjetor, por që kishte dështuar meqë Hajdari nuk ishte paraqitur në gjykatë.
Aktakuza ndaj tyre është ngritur më 11 nëntor nga Prokuroria Speciale e Kosovës, e cila e akuzon atë për keqpërdorim të rezervave shtetërore.
Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti ndaj katër personave nën dyshimin për kryerjen e veprave penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Zbulimi i fshehtësisë zyrtare” dhe “Ndihma në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Të pandehurit Rozeta Hajdari, Irfan Lipovica dhe dhe Hafiz Gara akuzohen se gjatë muajve shkurt – mars 2022, kanë keqpërdorur detyrat zyrtare me qëllim përfitimi pasuror për persona të tjerë, duke shkaktuar dëm ndaj buxhetit të Republikës së Kosovës prej 2,912,134.78 euro.
Sipas aktakuzës, ata gjithashtu kanë zbuluar fshehtësinë zyrtare të vendndodhjes së rezervave shtetërore, duke ia vënë këtë informacion në dispozicion të pandehurit Ridvan Muharremi.
Muharremi akuzohet për ndihmë në kryerjen e këtyre veprave penale, duke ndërmjetësuar, negociuar dhe rekomanduar përzgjedhjen e operatorëve ekonomikë në emër të rezervave shtetërore.
Prokuroria thekson se ky proces është pjesë e hetimeve për veprime që kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme për buxhetin e shtetit dhe përbëjnë shkelje të ligjit për rezervat shtetërore të mallrave./Lajmi.net/