Rexhepi ngre shqetësime për parregullsi në disa fshatra boshnjake, kërkon hetim urgjent të procesit zgjedhor
Kryetarja e Partisë së Re Demokratike (NDS), Emilia Rexhepi, ka shprehur shqetësim për parregullsi të dyshuara gjatë procesit zgjedhor në disa fshatra me komunitet boshnjak në Kosovë, duke kërkuar reagim të menjëhershëm nga institucionet kompetente. Përmes një reagimi publik, ajo ka thënë se prej vitesh janë vërejtur mospërputhje mes numrit të votave dhe banorëve në…
Lajme
Kryetarja e Partisë së Re Demokratike (NDS), Emilia Rexhepi, ka shprehur shqetësim për parregullsi të dyshuara gjatë procesit zgjedhor në disa fshatra me komunitet boshnjak në Kosovë, duke kërkuar reagim të menjëhershëm nga institucionet kompetente.
Përmes një reagimi publik, ajo ka thënë se prej vitesh janë vërejtur mospërputhje mes numrit të votave dhe banorëve në fshatrat Jabllanicë, Pousko, Reçan dhe Lokvicë.
Sipas saj, gjatë ditës së zgjedhjeve, komisionerët dhe vëzhguesit e NDS-së kanë identifikuar parregullsi të mundshme, të cilat janë raportuar tek autoritetet përkatëse.
Rexhepi ka veçuar një rast në vendvotimin 2069/01 në fshatin Jabllanicë, ku janë gjetur fletëvotime të dëmtuara.
Ajo ka kërkuar nga Policia e Kosovës, Prokuroria, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) dhe Komisionet Komunale Zgjedhore që të hetojnë rastin në mënyrë të plotë dhe të ndëshkojnë përgjegjësit nëse konstatohen shkelje.
“U bëj thirrje të gjithë komisionerëve, vëzhguesve dhe qytetarëve që të raportojnë çdo parregullsi, çdo presion ndaj votuesve dhe çdo përpjekje për manipulim të votës”, ka deklaruar ajo.
Në fund, Rexhepi ka theksuar se subjekti i saj do të vazhdojë angazhimin me mjete demokratike dhe ligjore për mbrojtjen e integritetit të procesit zgjedhor, duke shtuar se “vullneti i qytetarëve nuk duhet të cenohet apo manipulohet”. /Lajmi.net/