Rexhepi: Kosova po frikëson investitorët

16:34 | 14 Qershor 2014

Ibrahim Rexhepi

Kosova po frikëson investitorët e huaj me jostabilitetin, krizën politike dhe kushtetuese që po kalon, ka thënë ekonomisti Ibrahim Rexhepi. Ai thotë se rritja ekonomike nën 7 për qind, do të ishte pak për Kosovën.

Ekonomisti Ibrahim Rexhepi ka thënë se problemi i veriut, mos stabiliteti i që po ndodh në Kosovë, janë pengesë për ardhjen e investitorëve të huaj.

 Drejtori ekzekutiv i Qendrës për Hulumtime Strategjike dhe Sociale, Ibrahim Rexhepi, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ka vlerësuar se shkalla e lartë e pa punësisë mbetet problem kryesor.

“Problemi esencial i vendit – këtu nënkuptoj problemet ekonomike dhe sociale – qëndron në jostabilitetin, qëndron në ambientin shumë të padefinuar dhe të paqartë dhe jo aq të sigurt dhe intrigues për investitorët”.

“Fokusi i qeverisë që të ndihmojë dhe përkrahë kryesisht sektorin publik, këtu kam parasysh edhe rritjen e pagave, edhe orientimin te privatizimi i KEK-ut apo PTK-së, dhe ka lënë anash një spektër të gjerë të rregulloreve, të ligjeve të institucioneve, të cilat realisht kanë pasur një efikasitet shumë të ulët, apo kur jemi te ligjet, më tepër kanë qenë që të përmbushet një kriter apo një standard i caktuar nga BE-ja apo dikush tjetër, sesa që kanë reflektuar me një rritje ekonomike dhe hapje të vendeve të reja të punës”.

“Dhe, është edhe çështja tjetër, realisht duhet kuptuar se problemi i veriut të Mitrovicës ende frikëson investitorët. Por, investitorët i frikëson edhe situata aktuale që është në Kosovë, ku vendi po rrëshqet kah një jostabilitet politik, kah një krizë kushtetuese, dhe po reflekton, me keqardhje po them, pamundësinë, mosdashjen, apo edhe inatet personale të liderëve politikë, të cilët rrezikojnë funksionimin e shtetit”, tha Rexhepi.

Ai ka thënë se ç’do rritje ekonomike Kosovën gjatë vitit 2014 nën 7 për qind nuk do të premton ndryshim të situatës.

“Çdo rritje ekonomike nën 7 për qind nuk premton shumë. Është një rritje ekonomike, e cila më shumë mund të mbajë një status-quo sesa që të hapë më shumë vende pune. Këtë e them duke pasur parasysh se nga vjen rritja ekonomike. Kryesisht, ende i dominon investimet në sektorin publik, dominon infrastruktura, e cila në fakt paraqet një rritje, por nuk hap vende pune.  Apo, edhe nëse hapen vende të punës, ato mbyllen pas përfundimit të projektit. Do të thotë, një rritje ekonomike e momentit, rritje ekonomike që e ka jetëgjatësinë derisa të zgjasë, projekti e jo që është rritje e qëndrueshme  me mundësi që ajo edhe më tutje mos të ngrihet ajo normë e rritjes ekonomike, apo së paku të mbahet në atë nivel”. (REL)

Për më shumë lexoni në: http://www.evropaelire.org/content/article/25421827.html