Reuters për protestat në Tiranë: Zemërimi ndaj qeverisë Rama rritet, protestuesit kërkojnë ndryshim, ata po thonë “mjaft është mjaft”
Agjencia ndërkombëtare e lajmeve Reuters ka raportuar nga Tirana për protestat kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama, ku mijëra qytetarë, mes tyre shumë studentë, dolën në rrugë për të shprehur pakënaqësinë e tyre ndaj gjendjes në vend. Gjatë protestës, situata u tensionua, me demonstrues që thyen xhama dhe në disa raste u përplasën me policinë.…
Lajme
Agjencia ndërkombëtare e lajmeve Reuters ka raportuar nga Tirana për protestat kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama, ku mijëra qytetarë, mes tyre shumë studentë, dolën në rrugë për të shprehur pakënaqësinë e tyre ndaj gjendjes në vend.
Gjatë protestës, situata u tensionua, me demonstrues që thyen xhama dhe në disa raste u përplasën me policinë. Forcat e rendit reaguan duke përdorur gaz lotsjellës dhe topa uji për të shpërndarë turmën. Pavarësisht protestave dhe thirrjeve për largimin e tij, Rama hodhi poshtë kërkesat për dorëheqje, transmeton lajmi.net.
Në raportimin e saj nga kryeqyteti shqiptar, Reuters vë në pah disa nga arsyet kryesore që kanë nxitur qytetarët të protestojnë, duke përmendur mungesën e perspektivës për punësim, problemet në sistemin arsimor dhe pakënaqësinë e thellë ndaj korrupsionit në nivelet e larta të pushtetit.
“Ka shumë protestues të zemëruar. Ata janë të zemëruar për mungesën e perspektivës së punësimit, standardet e ulëta të arsimit dhe, mbi të gjitha, për korrupsionin konstant që shohin te drejtuesit më të lartë qeveritarë”, raporton Reuters.
Agjencia thekson se kryeministri Rama i mohon akuzat për korrupsion, ndërsa nënvizon ndryshimin mes protestave të tanishme dhe atyre të zhvilluara gjatë verës.
Sipas raportimit, protestat e verës, ndonëse me pjesëmarrje të madhe, ishin kryesisht paqësore. Megjithatë, një pjesë e protestuesve u ndien të shpërfillur dhe me përshtypjen se kërkesat e tyre nuk po merreshin parasysh nga institucionet.
Tashmë, pakënaqësia duket se ka marrë një formë më të ashpër, me protestuesit që po shprehin hapur revoltën ndaj qeverisë. Mesazhi i tyre, sipas Reuters, përmblidhet në një qëndrim të qartë: “Tash ata thonë: mjaft është mjaft”./lajmi.net/