“Retorikë që mund të përshkallëzohet”: Thirrje antishqiptare në Maqedoni të Veriut
Thirrje raciste ndaj shqiptarëve u dëgjuan gjatë një ndeshjeje të basketbollit që u zhvillua në mes të Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë, të shtunën në Kumanovë. Derisa thirrjet u dënuan në të dy anët e kufirit, njohës të zhvillimeve politike vlerësojnë se ngjarje të tilla e fusin MV-në “në një vrobull të re krize”. “Shqiptari…

Lajme
Thirrje raciste ndaj shqiptarëve u dëgjuan gjatë një ndeshjeje të basketbollit që u zhvillua në mes të Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë, të shtunën në Kumanovë. Derisa thirrjet u dënuan në të dy anët e kufirit, njohës të zhvillimeve politike vlerësojnë se ngjarje të tilla e fusin MV-në “në një vrobull të re krize”.
“Shqiptari i mirë është shqiptari i vdekur”, është vetëm një nga thirrjet që u dëgjua gjatë ndeshjes që u zhvillua në fundjavë, e pasuar nga “Dhoma e gazit për shqiptarët”, duke iu referuar ngjarjeve gjatë Luftës së Dytë Botërore ndaj hebrenjve, sipas politikanëve shqiptarë në Maqedoni të Veriut. Të pranishëm në këtë ndeshje ishin edhe zyrtarë të lartë të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut.
Më herët sot u bë e ditur se Prokuroria Themelore Publike në Kumanovë ka nisur hetime lidhur me këtë rast.
Ndërkaq, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski i dënoi thirrjet të hënën duke i quajtur nacionaliste dhe ksenofobe. Ai tha se brohoritjet “nuk hasën në mbështetje nga të pranishmit në sallë”.
Në anën tjetër, Bashkimi Demokratik për Integrim – parti shqiptare në opozitë në Maqedoninë e Veriut, i ka dënuar këto thirrje si dhe ka kërkuar përgjegjësi politike e institucionale.
“BDI nuk do të lejojë që shqiptarët të bëhen shënjestër e thirrjeve fashiste në vendin ku janë bashkëthemelues të shtetit. Përgjegjësi politike. Dorëheqjeje të zv.ministrit të Punëve të Brendshme, dhe zv.ministrit për sport, për mos veprim. Thirrje të gjithë përfaqësuesve shqiptarë në qeveri të distancohen publikisht nga kjo ngjatje dhe të kërkojnë nga sanksione”, Emir Sulejmani, anëtar i Kryesisë Qendrore, në një konferencë të mbajtur sot, më 4 gusht.
Gazetari dhe njohësi i zhvillimeve politike, Seladin Xhezairi thotë se gjuha e urrejtjes po vjen si pasojë e retorikës politike, ndërsa vlerëson se “kjo retorikë ka për t’u përshkallëzuar deri në zgjedhjet lokale të tetorit”.
“Kjo që ndodhi fundjavën e kaluar vetëm se shpërfaq objektivin parazgjedhor të qeverisë maqedonase, më saktësisht të VMRO-DPMNE-së së kryeministrit Hristijan Mickoski që Maqedonia të bëhet sërish e maqedonasve. Mendoj se kjo retorikë ka për t’u përshkallëzuar deri në zgjedhjet lokale të tetorit dhe, e gjithë kjo natyrisht e fut Maqedoninë në një vorbull të re krize”, thotë ai në një përgjigje me shkrim.
Ai poashtu thekson se ky lloj i gjuhës së urrejtjes kundër shqiptarëve është më i zakonshëm në periudha parazgjedhore.
“Partia deri para një viti më maqedonase e sot më pro-serbe, në çdo periudhë parazgjedhore ka luajtur në kartën antishqiptare. E pazakonta është se brohoritjet antishqiptare, për vdekjen e shqiptarëve, për Maqedoni të pastër, u bënë në prani të kryeministrit Mickoski dhe të shumë zyrtarëve të tjerë maqedonas. Madje, edhe të kryebashkiakut të Kumanovës i cili para katër vjetësh fitoi falë votave të shqiptarëve”, thekson Xhezairi.
Në anën tjetër, analisti nga Shqipëria, Ben Andoni thotë kjo gjuhë e urrejtës ndaj shqiptarëve ka filluar më herët dhe reagimet sipas tij janë të rralla.
“Ngjarjet e fundit janë shumë shqetësuese por për hir të së vërtetës, ato kanë filluar që në fillim të vitit. Po ta mbani mend me kujtesë, autoritetet rrugore të republikës së Maqedonisë së Veriut filluan me ndryshimin e tabelave dhe sidomos me ndryshimin e tabelave të cilat ishin në kufirin e Shqipërisë me Maqedoninë e Veriut. Pati një reagim shumë të dobët nga pjesa e autoriteteve shqiptare por shqetësimi ishte shumë i madh edhe për një fakt tjetër, sepse autoritetet Shqiptare në Maqedoni të Veriut ishin në dijeni dhe ishin pjesë e këtyre strukturave, ndërkohë pak ditë më vonë ju e dini që erdhi përpjekja apo ndryshimi në gjykatën kushtetuese të Maqedonisë së veriut të ligjit të gjuhëve, ku nga gjuhët më të prekura patjetër që është gjuha shqipe, e cila jo thjeshtë është gjuha e dytë më e rëndësishme në Maqedoni, por është gjuha e një kombi shtetformues. Incidentet kanë qenë edhe të më pastajme dhe e fundit kulmoi para disa orëve në ndeshjen e basketbollit, ku shqetësimi më i madh është sepse thirrjet u bënë në sy të kryeministrit dhe autoriteteve tjera dhe shqetësimi tjetër është se Shqiptarët të cilët janë pjesë e koalicionit qeverisës pothuajse nuk kanë reaguar fare”, tha ai.
Këto thirrje i dënoi edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e cila përmes një deklarate të hënën u bëri thirrje institucioneve të Maqedonisë së Veriut që “të ndërmarrin masa të menjëhershme kundër organizatorëve të këtyre thirrjeve, përgjegjësve dhe atyre që nxisin e përhapin urrejtje, duke dënuar çdo formë të gjuhës së urrejtjes, mbrojtur parimet e bashkëjetesës dhe tolerancës, si vlera bazë të një shteti që synon integrimin në BE”.
“Republika e Kosovës do të mbrojë me vendosmëri dinjitetin e shqiptarëve, kudo që ata jetojnë”, tha Osmani.
Reagim ka pasur edhe nga Tirana zyrtare.
“Gjuha e urrejtjes që nxit dhunën, konfliktin etnik dhe racizmin, nuk ka vend në asnjë hapësirë publike, e aq më pak në sport, që në thelb të tij mbart frymën e bashkimit, të bashkëpunimit, të lojës së ndershme dhe të respektit ndaj tjetrit”, kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali.
Ndërkaq, ambasadori i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Denion Meidani, tha se “gjuha e urrejtjes nuk ka vend në sport, as në shoqëri”, ndërsa shtoi se “thirrjet fyese në Kumanovë janë alarm për të gjithë”.
Gjuhën e përdorur në ndeshjen e zhvilluar në Kumanovë e dënoi edhe lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim – parti shqiptare në Maqedoninë e Veriu, Ali Ahmeti.
“E kuptoj dhe e ndaj mllefin tuaj miq, jo vetëm nga klithmat e urrejtjes në Kumanovë, por edhe nga fushata e përditshme sistematike kundër barazisë dhe çdo gjë që arritëm bashkë me shumë mund ndër vite”, tha Ahmeti në një postim në Facebook.
Analisti Ben Andoni thekson rëndësinë e reagimit nga Tirana dhe Prishtina zyrtare të cilat sipas tij duhet të bëjnë notë proteste.
“Në këto kushte ne duhet të kemi një lloj bashkëpunimi. Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Kosova që jo vetëm të i paraprijmë situatave të tilla por këtë lloj gjuhe urrejtjeje ta adresojmë atje ku duhet. Më vjen keq ta them që qoftë Tirana zyrtare nuk ka bërë notë proteste dhe Kosova poashtu nuk ka bërë notë proteste. Nga ana tjetër unë po ju them se unë pres që të përshkallëzohen situata të tilla. Për sa i përket ushqimit të gjuhës së urrejtjes, unë besoj se tashmë është në ADN-në e individëve të shumtë në Maqedoninë e Veriut”, thotë ai.
Pas ngjarjes në Kumanovë, të dielën reaguan edhe politikanë të partive që deri më tash ishin opozitë në Kosovë, të cilët kritikuan kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për mos reagim.
“Hristijan Mickoski është bërë Kryeministër i Maqedonisë së Veriut me bekimin dhe votën që ia solli drejtpërdrejt Albin Kurti përmes koalicionit VLEN. Ky ishte çasti kur një projekt politik, i promovuar si “shpresë për shqiptarët”, u kthye në instrument të ngritjes së një pushteti të mbushur me nostalgji për represionin e vjetër dhe urrejtje ndaj identitetit shqiptar. Sot, ndërsa në Shkup bërtitën parulla fashiste kundër shqiptarëve, Kurti hesht. Heshtja e tij është më shumë se indiferencë-ajo është bashkëfajësi politike dhe morale”, shkroi deputeti i PDK-së, Artan Behrami.
Albin Kurti pati mbështetur disa parti shqiptare që u bashkuan në një koalicion të quajtur VLEN, në zgjedhjet e fundit atje. VLEN sot është pjesë e qeverisë në Maqedoninë e Veriut.
“Ndryshimi” që e solli Albin Kurti në Maqedoni të Veriut po ju bën të fala me klithmat shurdhuese: Dhoma gazi për shqiptarët; Shqiptari i mirë është vetëm shqiptari i vdekur; Maqedoni e pastër; Shqiptarët e mallkuar ta dijnë se emri Maqedoni nuk zhduket”, shkroi Daut Haradinaj i AAK-së.
“Asnjë fjalë, asnjë reagim nga Kurti, kumbara i koalicionit qeverisës në Maqedoni të Veriut”, tha ai.
Shqiptarët përbëjnë 24.3 për qind të numrit të përgjithshëm të popullsisë në Maqedoninë e Veriut, sipas regjistrimit të fundit të popullsisë.