Reshjet e shiut shkaktojnë rrëshqitje dheu në Viti, a po rrezikohen nxënësit në Letnicë?
Reshjet e dendura të shiut që kanë përfshirë ditët e fundit Komunën e Vitisë kanë shkaktuar rrëshqitje të dheut tek Shkolla Fillore “Dom Mikel Tarabulluzi” në Letnicë dhe vërshime lokale. Autoritetet komunale kanë reaguar menjëherë duke angazhuar ekipet emergjente në terren, përfshirë zjarrfikësit dhe drejtoritë përkatëse, ndërsa si masë parandaluese është ndërprerë për një ditë…
Lajme
Reshjet e dendura të shiut që kanë përfshirë ditët e fundit Komunën e Vitisë kanë shkaktuar rrëshqitje të dheut tek Shkolla Fillore “Dom Mikel Tarabulluzi” në Letnicë dhe vërshime lokale.
Autoritetet komunale kanë reaguar menjëherë duke angazhuar ekipet emergjente në terren, përfshirë zjarrfikësit dhe drejtoritë përkatëse, ndërsa si masë parandaluese është ndërprerë për një ditë procesi mësimor në të gjitha shkollat e komunës.
Nënkryetari i Komunës së Vitisë, Hasan Aliu, ka deklaruar se vendimi për ndërprerjen e mësimit është marrë për shkak të kushteve të pafavorshme atmosferike dhe në koordinim me ekipin emergjent komunal.
“Jam në dijeni për shkak se, me rastin e rënies së shiut i cili ndodhi pak para pak ditësh në Republikën e Kosovës, gjithsesi edhe në Komunën e Vitisë, kryetari automatikisht e ka ngritur emergjencën dhe ekipi emergjent ka qenë gjatë gjithë kohës në terren, duke i përfshirë edhe zjarrfikëset, edhe drejtorin e shërbimeve publike dhe të gjitha dikasteret për të cilat ka pasur nevojë popullata ato ditë. E kemi pasur të evidentuar si rast që është shembur dheu për shkak të shiut të madh… Pas disa ditësh, sërish është bërë një rrëshqitje dhe është pastruar sërish dhe tani ka ardhur konstatimi sipas ekspertëve se pa kulluar e kanë kthyer edhe rrjedhën e ujit që rrjedh aty dhe po presin pak ditë më të mira që me intervenua, me sanu edhe pak dheun i cili ka mbetur dhe me mënjanu edhe rrezikun i cili mund t’i shkaktojë shkollës”, theksoi Aliu.
Sipas tij, ekspertët kanë konstatuar se është përmirësuar kullimi dhe është ndryshuar rrjedha e ujit në zonën e prekur, ndërsa po priten kushte më të mira atmosferike për ndërhyrje shtesë dhe sanim të plotë të terrenit, me qëllim të eliminimit të çdo rreziku potencial, veçanërisht për objektin shkollor.
“Me gjithë atë, ia vlen me theksu që shkolla ka qenë e mbushur me ujë, është pastruar dhe mësimi vazhdon normal, edhe besoj që rrezikshmëria sot është shumë më e vogël… Ankesa nëpër shtetin lokal nuk ka pasur si kemi lënë, sepse kemi qenë në vend të ngjarjes, nuk ka pasur nevojë për ankesa sepse e kemi vërtetuar edhe si rast dhe menjëherë ka qenë intervenimi… Jo, nuk ka pasur përjashtim që i kemi marrë si komunitet, domethënë komuniteti që është formuar edhe thirrur nga mbledhja e kryetarit, edhe u pritke që atë ditë me qenë vërshimet në këtë territor të Komunës së Vitisë, kemi marrë vendim edhe i kemi ndërprerë për një ditë mësimin jo vetëm në atë shkollë, por në të gjitha shkollat e Komunës së Vitisë”, tha Aliu.
Ai po ashtu bëri të ditur se nuk ka pasur ankesa nga qytetarët, pasi institucionet komunale kanë qenë të pranishme në vendin e ngjarjes dhe kanë ndërhyrë menjëherë. Vendimi për ndërprerjen e mësimit, sipas tij, është marrë nga komuniteti emergjent i komunës dhe ka përfshirë të gjitha shkollat e Komunës së Vitisë.