Republikanët fitojnë Senatin

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Partia Republikane ka fituar vende të mjaftueshme në zgjedhjet e së martës për Kongresin, që u sigurojnë republikanëve kontrollin e Senatit, pas tetë vjetësh.

Bota

05/11/2014 09:52

Republikanët kanë fituar vende në Senat në shtetet Virxhinia Perëndimore, Arkansa, Dakota e Jugut, Kolorado, Montana dhe Karolina e Veriut, duke e përmbysur shumicën që mbahej nga demokratët me 55 vende nga 100 gjithsej.

Në disa shtete ende nuk është përcaktuar fituesi. Në Luiziana, asnjë kandidat nuk fitoi më shumë se 50 për qind të votave. Gara mes senatores demokrate Mary Landrieu dhe sfiduesit republikan Bill Cassidy do të zgjidhet me balotazh më 6 dhjetor.

Udhëheqësi i pakicës në Senat, Mitch McConnell u rizgjodh në shtetin e Kentakit për një mandat të gjashtë. Kjo nënkupton se ai do të jetë udhëheqësi i shumicës në Senat dhe njëri ndër politikanët më të fuqishëm të vendit. Ai do të ketë autoritetin për të vendosur se cilat projektligje do të paraqiten për t’u hedhur në votë në Senat.

Presidenti Barack Obama tha se demokratët në Senat përballeshin me ndoshta garat më të vështira që nga viti 1958, kur republikanët humbën 13 vende në Senat, në kohën e presidentit Dwight Eisenhower.

Në zgjedhjet e së martës u votua për një të tretën e 100 vendeve të Senatit.

Republikanët gjithashtu pritet të konsolidojnë shumicën e tyre në Dhomën e Përfaqësuesve, ku ata kanë 233-vende nga 435 gjithsej. Në zgjedhjet e së martës u votua për të gjitha vendet e Dhomës. U votua edhe për 36 nga 50 postet e guvernatorëve.

Anketat tregojnë se votuesit ishin të pakënaqur me Presidentin Barack Obama dhe me drejtimin që ka marrë vendi.

“Do të thosha se mes shqetësimeve të amerikanëve, në krye të listës janë ekonomia dhe vendet e punës”, ka thënë Frank Newport nga organizata e sondazheve, Gallup.

Në prag të zgjedhjeve Obama i nxiti demokratët të mos ua vinin veshin parashikimeve të zymta të ekspertëve dhe të dilnin të votonin.

“Ne nuk u ulëm në hënë duke qenë cinikë. Cinizmi nuk u jep fund luftërave, as nuk shëron sëmundje, nuk ngre biznese dhe nuk ushqen mendjet e të rinjve. Cinizmi është një alternativë, por shpresa është një alternativë më e mirë”.

Partia e presidentit që është në mandatin e dytë, zakonisht humb terren në zgjedhjet e mesit të mandatit dhe rënia e mbështetjes për presidentin duket se i dëmtoi shanset e kandidatëve demokratë në gjithë vendin.

Ish-kryetari i Komitetit kombëtar të Partisë Republikane, Mike Duncan ka thënë se republikanët bënë të pamundurën për t’i paraqitur këto zgjedhje si një referendum kombëtar për presidentin dhe politikat e tij.

“Mendoj se mesazhi kryesor është që vendi po distancohet nga Presidenti Obama. Ne po e kthejmë vendin tek qendra e djathtë, aty ku e do populli amerikan”, tha Duncan, raporton VOA.

Zgjedhjet në mes të mandatit zakonisht përqendrohen tek çështjet e brendshme. Por këtë vit, edhe rreziku i Lindjes së Mesme nga Shteti Islamik dhe frika për përhapjen e Ebolës e kanë tronditur publikun në javët e fundit të fushatës.

Disa nga garat kryesore të Senatit këtë vit, ishin në shtetet me prirje republikane dhe anketat e orëve të fundit të fushatës tregonin se shumë prej tyre anonin nga republikanët.

Qendra për Politikë të Përgjegjshme vlerëson se shpenzimet në fushatën për këto zgjedhje kanë arritur në katër miliardë dollarë, zgjedhjet më të kushtueshme në historinë e votimeve për Kongresin.