Rënia e sistemit

Në politikën kosovare, ka rënë sistemi politik, legal, moral, cilidoqoftë ai. Ky sistem nënkupton që pa tolerancë dhe pa dialog, nuk ka demokraci, dhe që pa rend dhe ligj, nuk ka shtet.

Opinion

24/12/2015 13:46

Fukaraja i ka tri vitet e para të vështira. Çka ndodhë më pas? Mësohet. Adaptohet. Jeton. Si fukara. Natyrisht.

Ky mësimi i moçëm i ‘trashëgimisë sociale’ ndër ne, ka të ngjarë që ka nisë të merr kuptimin edhe në politikën kosovare të kohëve të fundit. Gjendja krejtësisht e mbrapshtë, po na duket e zakonshme. Jemi mësuar. Jemi adaptuar. Po jetojmë. Si të çrregulluar.

Ky konkludim në shikim të parë del teprim i madh, në rrethanat të cilat ndryshe, nisin dhe sosin ditën me teprimet e të gjitha llojeve.

Por a nuk ishim dëshmitarë, javën e shkuar të një fjalie sa paradoksale, aq edhe tragji-komike të një entiteti politik, e cila nuk shkaktoi asnjë reagim të mundshëm, as në politikë, as në media, as në shoqëri civile, megjithëse vetëm pak muaj më parë, sikur të thuhej diçka e tillë, do të bëhej një mal me reagime të shumta, kundërshtuese? A nuk u tha, prej përfaqësuesve të këtij subjekti, në një konferencë me gazetarë: ‘Nuk kemi vendosur ende se a do ta lejojmë fjalimin e Presidentes në Kuvendin e Kosovës?’.

Fjala ishte për paraqitjen vjetore të Presidentes Jahjaga në Kuvendin e Kosovës.

Sa e dimë ne, edhe pse shumëçka që është llogaritur si e mësuar, e njohur, e ditur në Kosovë, po del që nuk është e tillë, kund në këtë Kornizën Legale të Kosovës nuk shkruan që Presidenti i Kosovës duhet të aplikojë për të marrë lejen për t’iu adresuar deputetëve dhe qytetarëve të Kosovës, te një entitet politik, cilidoqoftë ai.

Po shihet, edhe duke marrë këtë shembull të fundit, që ndër ne, në politikën kosovare, ka rënë sistemi politik, legal, moral, cilidoqoftë ai.

Domethënia e sistemit, e këtij nocioni, është pak a shumë e njohur. Sistemi, që na vjen nga Greqia antike, paraqet tërësinë e gjërave të ndërlidhura, të cilat punojnë dhe funksionojnë së bashku, në një rrjet të ndërlidhur.

Kështu ka qenë në këtë sistemin politik të Kosovës, me të gjitha të metat që i kemi trashëguar nga e kaluara, apo të cilat edhe i kemi krijuar në ndërkohë. Kështu ka qenë deri pak muaj më parë. Tash, sistemi ka ra, normalitet në këtë politikën kosovare nuk ka, po sprovohet rendi dhe ligji, është vënë në dyshim, objektivisht, vetë shteti i Kosovës, po mohohen themelet e demokracisë.

Çka është demokracia pos dialogu në mes të palëve të përfshira në politikë, për zgjidhjen e problemeve që paraqiten në një shtet demokratik?

Çka është demokracia nëse nuk ka tolerancë elementare në politikë dhe në shoqëri, nëse nuk ka respektim themelor të njeri-tjetrit në politikë dhe në shoqëri?

Pa tolerancë dhe pa dialog, nuk ka demokraci. Pa rend dhe ligj, nuk ka shtet.

Kaq thjeshtë është puna.

Por sapo i kthemei lajmeve të ditës në politikën kosovare, kuptojmë që këto definicione validiteti i të të cilave nuk kontestohet askund në Botën demokratike, janë shpallur të pavlefshme, si ndonjë dokument individual, në procedurat e njohura për të gjithë, në mënyrë që të nxjerret dokumenti i ri.

Gjërat në këtë politikën kosovare kanë ecur aq larg, për të keq, saqë duhesh të jesh tepër optimist për të besuar që brenda një kohe të shkurtër, do të ndodhë kthimi në normalitetin politik. Zatën, edhe ajo gjendja e mëparme, para kësaj vjeshte të mbrapshtë në politikën e vendit, vështirë që do të përmbushte kriteret e një normaliteti politik, apo të gjendjes së rëndomtë në një demokraci parlamentare. Por ajo gjendje tash po na duket si e mirë, shumë e mirë madje, krahasuar me këtë të tanishmen.

Tani po na ndodhë, për herë të parë që prej se si Kosovë, atje në vitin 1990, jemi nisë në rrugëtimin e çlirimit dhe të pavarësisë, që të kthejmë mbrapsht porositë dhe këshilliat publike të një zyrtari të lartë amerikan, çfarë është John Kerry, Sekretari i Shtetit.

Na kanë ndodhur edhe shumë gjëra të tjera, për herë të parë. E rrëfimi për një demokraci liberale, përpiqet t’i shmanget, me çdo kusht, ngjarjeve të këtij lloji, të cilat, edhe kur të ndodhin ‘për herë të parë’ janë shumë të rrezikshme për qëndrueshmërinë e një shteti.

Befasitë e tilla që kërcënojnë me themel një shoqëri dhe një vend, vijnë, në një shtet të organizuar mirë, vetëm nga natyra, në trajta të ndryshme.

Tek ne, këto befasi po ndodhin në vetë politikën kosovare, e cila ka marrë tiparet e një fatkeqësie natyrore.

(Autori është opinionist i rregullt në lajmi.net)