Rëndësia e riintegrimit të qytetarëve

Republika e Kosovës, ashtu sikurse edhe shumë shtete të tjera evropiane janë ballafaquar me pasojat e radikalizimit dhe pjesëmarrjen e qytetarëve në konflikte të armatosura jashtë territorit të vendit.

Lajme

20/01/2021 15:27

Konsiderohet se rreth 400 Kosovarë i janë bashkuar luftës në Siri dhe Irak. Përderisa për disa shtete në Evropë ishtë pikëpyetje nëse do të riatdhesonin qytetarët e tyre nga kampet në Siri, qeveria e Republikës së Kosovës që nga fillimi ka punuar për të siguruar riatdhesimin e të gjithë qytetarëve të vet.

Qasja dhe puna e qeverisë së Kosovës në këtë aspekt është njohur dhe vlerësuar edhe nga organizatat ndërkombëtare. Për shembull, Instituti Clingendael nga Holanda ka publikuar një raport me titull: “Çfarë mund të mësojnë Shtetet Anëtarë të BE-së nga përvoja e Kosovës në riatdhesimin e ish luftëtarëve të huaj dhe familjeve të tyre” duke theksuar se “rasti i Kosovës ilustron, se ka potencial për të menaxhuar riatdhesimin përmes një qasje strategjike më afatgjate që përfshin angazhimin me anëtarët e familjes, komunitetin dhe koordinimin midis institucioneve.” Në këtë kontekst, qeveria e Kosovës ështe angazhuar edhe në përkrahjen e rientegrimit të personave të riatdhesuar.

Qeveria e Republikës së Kosovës ka themeluar edhe një strukturë te veçantë qeveritare për të trajtuar procesin e riintegrimit të personave të riatdhesuar. Divizioni për Parandalim dhe Riintegrim të personave të radikalizuar (DPRPR) funksionon në kuadër të Departamentit për Siguri Publike të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Misioni i këtij divizioni është të parandaloj radikalizimin e të rinjve dhe grupeve tjera, si dhe të ndihmojë në riintegrimin e atyre që janë kthyer nga zonat e konfliktit. Pasi që natyra e punës së Divizionit, por edhe në përgjithësi e fenomenit të radikalizimit është shumë e ndjeshme, duhet të kemi një qasje të përkushtuar që kërkon veprime ndër-sektoriale brenda qeverisë së Kosovës. Divizioni për Parandalim dhe Riintegrim të Personave të Radikalizuar është krijuar për të koordinuar, bashkëpunuar, komunikuar, monitoruar, e vlerësuar procesin e riintegrimit.

Një pjesë e qytetarëve të Kosovës që janë kthyer nga zonat e luftës në Kosovë, ballafaqohen me stigmatizim, si dhe shumë probleme të tjera socio-ekonomike. Po ashtu përjetimet e tyre në një zonë luftë kanë pas ndikimin e vet. Qeveria e Republikës së Kosovës është e zotuar dhe ka krijuar protokolle të veçanta për qytetarët e riatdhesuar të do të mund të bashkohen sërish me komunitetin dhe të jenë pjesë e dobishme e tij. Në këtë aspekt DPRPR është përqendruar edhe në përkrahjen e rehabilitimit të qytetarëve të rikthyer.

Me të arritur në Kosovë, të riatdhesuarve ju është dhënë ndihmë e menjëhershme strehimi, kujdesi mjekësorë si dhe përkrahje në rregullimin e dokumenteve të nevojshme civile. Pas kësaj faqe, ata janë përkrahur për tu riintegruar në shoqëri, duke përfshirë edhe me regjistrimin e fëmijëve në shkolla. Të gjithë kemi një obligim për tu angazhuar dhe për të përkrahur rintegrimin në shoqëri të bashkëqytetarëve tanë të rikthyer nga zonat e luftës në Siri dhe Irak. Kjo është e rëndësishme për zhvillimin dhe avancimin e shtetit tonë si dhe për sigurinë dhe mirëqenien shoqërorë të vendit.

Ky artikull botohet në kuadër të projektit të përbashkët CBM/KIP, në bashkëpunim me Divizionin për Parandalim dhe Riintegrim. Përkrahur nga Ambasada e Mbretërisë së Holandës.