Rëndësia e riatdhesimit të qytetarëve të Kosovës nga lufta e Sirisë

Në një raport të publikuar nga Instituti Republikan Ndërkombëtar thuhet se riatdhesimi i luftëtarëve të huaj dhe familjeve të tyre nga lufta e Sirisë, i mundëson Kosovës një menaxhim më të mirë të rrezikut dhe kërcënimeve nga personat e përfshirë në luftërat e huaja.

Lajme

03/11/2021 09:50

Raporti i hartuar nga studiuesi Adrian Shtuni, që ka ndjekur prej vitesh problemin e ekstremizmit të dhunshëm në Ballkan, thotë se Kosova është treguar e suksesshme në rikthimin dhe trajtimin e qytetarëve të saj që ishin pjesëmarrës në luftën e Sirisë përkrah organizatave terroriste.

Ai tha se Kosova është aktualisht vendi me përqendrimin më të lartë për kokë banori në Evropë të personave të kthyer nga Siria dhe Iraku duke përfshirë edhe të riatdhesuarit.

“Është me të vërtetë shumë domethënëse që Kosova një vend shumë i vogël me pak burime dhe ende nuk është anëtar i Kombeve të Bashkuara ose nënshkruese e konventave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut apo konventës për të drejtat e fëmijëve, ka adoptuar një sjellje shumë më të përgjegjshme ndaj qytetarëve të saj dhe ndaj ligjit ndërkombëtar, sesa shumë vende të tjera”, tha zoti Shtuni duke nënvizuar se në vitin 2019, Kosova u bë një nga vendet e para në botë që riatdhesoi publikisht luftëtarët dhe joluftëtarët e akuzuar për pjesëmarrje në luftë apo mbështetjen e Shtetit Islamik dhe lëvizjeve të lidhura me të në Siri dhe Irak.


Në prill të vitit 2019, 110 persona nga të cilët 32 gra, 74 fëmijë dhe 4 burra, u kthyen në Kosovë në një operacion të qeverisë me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara.

Jeta Tela, zyrtare nga Ministria e Punëve të Brendshme tha se me gjithë shqetësimet për sigurinë e vendit, riatdhesimi i qytetarëve është një nga mundësitë më të mirë për të trajtuar ekstremizmin.

“Qasja proaktive e Kosovës lidhur me riatdhesimin e grave, fëmijëve dhe burrave gjithashtu është në përputhje me propozimet e ekspertëve të sigurisë kombëtare si një qasje më e vlefshme nga perspektiva e sigurisë, ligjit dhe përgjegjësisë morale. Kështu që unë mund të ripohoj se qasja e përdorur në Kosovë lidhur me këtë temë ka qenë qasje në bazë të të drejtave të njeriut”, tha ajo duke nënvizuar se qeveria është duke punuar në hartimin e strategjisë së re për këtë çështje.

“Duke marrë përgjegjësinë e plotë për qytetarët e saj dhe me dhënien e drejtësisë pa vonesë për ata që kanë kryer krim, Kosova po hap rrugën e duhur për të kthyerit, rehabilitimin dhe riintegrimin në shoqëri pa vonesë, sepse sa më shumë që vonohet riatdhesimi aq më shumë vonohet rehabilitimi dhe riintegrimi”, tha zoti Shtuni.

Studiuesi Shtuni thotë se megjithatë Kosova përballet me shumë sfida për riintegrimin e qytetarëve të saj të riatdhesuar. Ai thotë se Kosova duhet t’u sigurojë familjeve të riatdhesuara ndihmën e duhur financiare dhe mundësi ekonomike për të shmangur radikalizimin e mëtejshëm dhe krijimin e një sistemi për kujdes të fëmijëve.

Që nga fillimi i konfliktit në Siri, rreth 400 qytetarë të Kosovës besohet se janë përfshirë në konfliktet në Lindjen e Mesme. Mbi 70 veta kanë humbur jetën, ndërsa më shumë se 240 veta janë kthyer nëpër vite prej andej, kryesisht të zhgënjyer me atë me të cilën janë përballur. Mbi 50 veta janë dënuar deri tash për përfshirje në luftërat në Lindjen e Mesme nxitje dhe rekrutim të luftëtarëve. Autoritetet thonë se edhe më tej në zonat e konfliktit, mbetën rreth 100 luftëtarë, gra dhe fëmijë nga Kosova.