Remi ka paditur Eroll Vitakun për rastin e Pallatit të Rinisë

Rrustem Mustafa – Remi, deputeti i PDK-së dhe ish-komandanti i Zonës Operative të Llapit, ka thënë se nuk di gjë për Eroll Vitakun as sulmuesit e tij. Vitakun madje tha se e ka paditur.

Lajme

20/04/2015 22:00

“E pash që z. Eroll Vitaku ka përmendur emrin tim dhe këto ngjarje të rënda duhet të publikohen gjithsesi. Personin, i cili më ka apostrofuar, unë nuk e njoh, pra Eroll Vitakun, dhe unë kam shprehur keqardhje atë natë kur e kam pa personin që është keqtrajtuar. Kam informatë se ai ka mundur të ketë pas shtytje të tjera me përhapë fluska se të gjithë ne merremi me punë joligjore, ose është i shtrënguar në borxhe që i ka ai prapa, dhe mendoj se mund të ekzistojë diçka mbrapa këtyre deklaratave dhe për këtë unë kam kërkuar që gjyqësia ta bëjë punën e vet. Unë i kam bërë padi zotit Eroll Vitaku sepse mendoj që mund të qëndrojnë grupe tjera pasi më është lakuar emri në kontekstin negativ. Unë nuk e njoh Eroll Vitakun, as atëherë e as sot, dhe flitet që Eroll Vitaku është njëri prej militantëve të PDK-së. Kështu e kam kuptuar në qytet, kam arsye të besoj, duke e ditë rrethin ku ai jeton dhe si gjendet pozita e tij në biznes dhe nuk kam dashur ta bëjë të madhe. Kam bërë një padi dhe pres zbulimin e krejt këtij problemi nga gjykata”, ka thënë Remi në emisionin “Puls” të KTV-së.

I pyetur nëse i njeh personat që e kanë sulmuar Vitakun, deputeti Mustafa tha se nuk i njeh as ata e as vet Vitakun.

“Unë nuk i njoh individët që e kanë sulmuar z. Vitaku. Me sa di unë, ai djali ka qenë një ushtar i zonës sime, por nuk kam arsye të mos i besoj këtij ushtari. Unë kurrë nuk kam dëgjuar që ka përdorur emrin tim, nuk kam arsye që mos t’i besoj dhe pres që gjykata ta sqarojë këtë. Unë pres që gjykata të vendosë dhe kushdo që përmendet në gjykatë, me vendim final kredibil nga gjykata se është fajtor, atëherë gjithçka do të përfundojë”, ka theksuar ai.

Në lidhje me pretendimet se deputeti Mustafa është personi që e kontrollon Pallatin e Rinisë, ky i fundit tha se nuk ka nevojë e as nuk e kontrollon këtë objekt.

“Pallati është pronë publike. Si mund ta kontrolloj unë? E di që pas lufte janë fol shumë gjëra”, ka thënë ai.

Tutje, ai ka pranuar se vëllai i tij ka një lokal në Pallatin e Rinisë tash e një kohë të gjatë, duke theksuar se edhe ai paguan qira si gjithë të tjerët.