Rekomandohet suspendimi i një polici, verifikoi sistemin e të dhënave të një qytetari

Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin e një zyrtari policor të angazhuar në pikëkalimin kufitar në Vërmicë, pas dyshimeve për keqpërdorim të pozitës zyrtare. Sipas njoftimit të IPK-së, ndaj zyrtarit në fjalë është hapur një hetim me dyshimin se ka kryer veprën penale “keqpërdorim apo tejkalim i autorizimeve zyrtare”. Hetuesit dyshojnë se ai ka…

Lajme

25/07/2025 20:30

Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin e një zyrtari policor të angazhuar në pikëkalimin kufitar në Vërmicë, pas dyshimeve për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Sipas njoftimit të IPK-së, ndaj zyrtarit në fjalë është hapur një hetim me dyshimin se ka kryer veprën penale “keqpërdorim apo tejkalim i autorizimeve zyrtare”.

Hetuesit dyshojnë se ai ka përdorur në mënyrë të paautorizuar bazën e të dhënave të policisë kufitare për të verifikuar të dhënat e një qytetari të Republikës së Kosovës, pa qenë ky i fundit prezent në pikëkalim.

Nga IPK bëhet e ditur se zyrtari dyshohet se ka kontrolluar në sistem nëse qytetari ishte apo jo në kërkim policor, transmeton lajmi.net

“Pas konsultimeve me Prokurorinë Themelore në Prizren, është vendosur që rasti të trajtohet në procedurë të rregullt, ndërsa hetuesit e IPK-së do të vazhdojnë me veprime të tjera për të sqaruar plotësisht rrethanat e këtij rasti,” thuhet në komunikatën zyrtare.

Rasti është ende në fazën hetimore dhe pritet të hetohet në thellësi për të përcaktuar përgjegjësitë dhe ligjshmërinë e veprimeve të zyrtarit policor./Lajmi.net/