Reklama, udhëtime dhe paga: Mbi 2 milionë euro shpenzime te PDK në vetëm tre muaj
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka shpenzuar rreth 2 milionë e 166 mijë euro gjatë tremujorit të katërt të vitit 2025, sipas raportit financiar të publikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ). Sipas raportit, një pjesë e konsiderueshme e buxhetit është shpenzuar për paga dhe obligime të lidhura me to. Vetëm për paga neto janë…
Lajme
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka shpenzuar rreth 2 milionë e 166 mijë euro gjatë tremujorit të katërt të vitit 2025, sipas raportit financiar të publikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).
Sipas raportit, një pjesë e konsiderueshme e buxhetit është shpenzuar për paga dhe obligime të lidhura me to. Vetëm për paga neto janë shpenzuar rreth 107 mijë 515 euro, ndërsa për tatim mbi paga rreth 4 mijë e 259 euro, si dhe për kontribute pensionale (punëdhënës dhe punëtor) mbi 8 mijë e 700 euro në total.
Në kategorinë e marketingut dhe promovimit, PDK ka shpenzuar mbi 20 mijë e 600 euro për reklama dhe publikime, duke përfshirë fushata dhe aktivitete promovuese, si dhe rreth 994 euro për botime.
Shpenzime të konsiderueshme janë evidentuar edhe në mallra dhe shërbime. Për udhëtime zyrtare janë shpenzuar rreth 65 mijë e 624 euro, ndërsa për shërbime kontraktuese mbi 27 mijë, 800 euro. Për shërbime arsimore dhe trajnime janë shpenzuar rreth 28 mijë e 126 euro, shkruan lajmi.net.
Në aspektin operativ, partia ka paguar rreth 6 mijë e 758 euro për qira të objekteve, si dhe rreth 3 mijë 182 euro për energji elektrike. Për mirëmbajtje dhe riparime janë ndarë mbi 120 euro, ndërsa për shpenzime të përfaqësimit rreth 2 mijë e 331 euro.
Në kategorinë e shpenzimeve të ndryshme, raporti tregon një shumë prej rreth 87 mijë e 197 euro, ku përfshihen edhe 4 mijë e 300 euro gjoba dhe ndëshkime.
Ndërkohë, për furnizime zyre janë shpenzuar rreth 269 euro, si dhe rreth 1 mijë e 400 euro për ushqim dhe pije. Po ashtu, janë evidentuar edhe mjete të ndara për avanse dhe shpenzime të tjera administrative.
Sa i përket të hyrave, gjatë kësaj periudhe PDK ka pranuar mbi 35 mijë e 170 euro donacione, kryesisht përmes transfereve bankare nga kontribuues individualë.
Ky raport tregon në detaje se pjesa më e madhe e shpenzimeve të PDK-së gjatë kësaj periudhe është orientuar drejt pagave, aktiviteteve të fushatës dhe shpenzimeve operative. /Lajmi.net/