Rehabilitimi i vetëvetes

Ne si vend duhet të sqarojmë mirë se çfarë na ka ndodhë në këtë rrëfimin tragjik, apo, si lejuam që të mbërrijmë në këtë situatë, të paparë në historinë e Kosovës.

Opinion

28/04/2019 14:45

Detyrimi kushtetues i një shteti të mirëfilltë demokratik është që të përkujdeset për qytetarët/ shtetasit e vet, jo vetëm në territorin e tij, por edhe kudo në Botë, veçmas kur jeta e tyre është e kërcënuar.

Nga ky pikëshikim, pa kurfarë dyshimi mund të thuhet që autoritetet më të larta të Kosovës, të ndihmuara në këtë rast në mënyrë thelbësore nga SHBA-ja  (si edhe në shumë shembuj të tjerë në të kaluarën), kanë bërë një veprim të jashtëzakonshëm dhe shumë të qëlluar kur para pak ditësh kthyen prapa në vend 110 qytetarë të Kosovës, të cilët ishin në Siri, në zonën e kontrolluar nga trupat e aleatëve amerikanë.

Këta që janë sjellë në Kosovë, me një bashkërenditje që konfirmon partneritetin shumë të veçantë në sferën e sigurisë në mes të Kosovës dhe SHBA-së, janë tanët, janë kosovarë apo, ata nuk janë të huaj.

Kjo është përgjigja e vetme që ka peshën politike dhe morale, në këtë rast.

Rrëfimi për kosovarët që u ri-atdhesuan para dhjetë ditësh, koincidoi me shumë ngjarje, anëkënd Kosovës, kur po shënohet njëzevjetori i krimeve të rënda të forcave serbe, tutje të pandëshkuara gjyqësisht dhe politikisht  (nga vetë autoritetet më të larta të Beogradit), në të cilat në atë pranverën e vitit 1999-të, u vranë mijëra qytetarë të Kosovës.

Kjo përputhje e dy ngjarjeve të kësisojta, nuk ka si të mos shfaqë një mori pyetjesh të rënda, si arritëm, si shoqëri, si vend, si politikë, që brenda një periudhe relativisht të shkurtër kohore që matet me dy decenie, të krijojmë një ambient diametralisht të kundërt me atë të para njëzet vjetëve, dhe që të mundësojmë që qindra shqiptarë të Kosovës, shumica dërrmuese e të të cilëve ishin fëmijë apo ende jo në atë moshën e pjekurisë në vitet tragjike të luftës, të shkojnë vullnetarisht në një luftë të huaj, në një vend të huaj, në një kohë të huaj, për qëllime të huaja për ne.

Pyetja në të cilën të gjithë ne duhet të kërkojmë përgjigjet e mirëfillta, pikërisht duke marrë si pretekst këtë ngjarjen me 110 shqiptarët e Kosovës është kjo: Nuk është çështje pse i kemi kthyer këta shqiptarë, po pse ata shkuan në Siri?

Është ky një kapitull shumë i rëndë i historisë së re të Kosovës, i cili disi dukej i harruar, i lënë prapa, i braktisur madje, në dy-tri vitet e fundit.

Tani kjo histori na ësht kthyer prapa, si thuhet, në një transmetim live.

Të kthyerit nga Atje, disi i përngjajnë robinsonëve që kanë shpëtuar në një pëmbytje të madhe, dhe që tani janë kthyer në shtëpi.

Por, këta robinsonë nuk janë të mbijetuarit e një fatkeqësie natyrore.

Kemi të bëjmë me një katastrofë të përgatitur, të planifkuar dhe të hartuar këndejpari, dhe atë në dy mënyra themelore.

Mënyra e parë ka për autorë ata që kanë vepruar, lirshëm dhe në të shumtën e rasteve publikisht, për ta përgatitur flijimin e shqiptarëve të Kosovës në fushëbetejat që nuk kanë të bëjnë fare me ne, me shqiptarët e Kosovës.

Mënyra e dytë ka për autorë ata që nuk kanë kryer punën dhe obligimet e tyra si duhet për ta parandaluar që qytetarët të Kosovës të ia mësyjnë një lufte që nuk kishte gjë të përbashkët me interesat e këtij shteti dhe të qytetarëve të tij.

Për këtë shkak, në këtë rast, ne kemi të bëjmë me një përgjegjësi të dyfishtë këtu, e cila në vete ngërthen dimensionet politike, institucionale, morale, individuale dhe kolektive.

Mbase, këtu nuk ka të pafajshëm.

Për këtë shkak, me gjasë, të vërtetën e plotë për këtë kapitull të historisë sonë të njëzet viteve të fundit, nuk e do askush.

Në dhjetëra forma të ndryshme, në gjashtë-shtatë vitet e fundit, si politikë në radhë të parë, kemi gjetur mënyra për ta amnestuar veten për një dështim të kësisojt kapital të politikës kosovare, edhe pse ne nuk kemi miratuar në Kuvendin e Kosovës kurfarë Ligji që mundëson një vetë-amnestim të këtillë.

Në ndërkohë, siç u përmend tashmë, ne u strehuam edhe në amnezinë kolektive për këtë rrëfimin tonë të rëndë, edhe pse rendi ka qenë që tani të këndellemi  (pas të gjithë këtyre pamjeve të fundit me gratë dhe fëmijët e kthyer nga një luftë e huaj), dhe që më në fund të nisemi të mirremi hollësisht me gjithë këtë kallëzim që njeh shumë jetëra të humbura atje larg, dëmtime të lloj-llojshme politike dhe diplomatike të këtij vendi këtu dhe në Botë, refuzimin tonë që të përballemi me veten dhe me dështimet tona.

Në gjithë këtë rrëfim, si edhe në shumë të tjera të viteve të fundit, neve na mungon një thellësi strategjike për t’i analizuar shkaqet dhe pasojat e zhvillimeve të këtilla që godasin themelet e shtetit dhe të shoqërisë kosovare. Jemi të prirë që të mirremi fare sipërfaqësisht dhe përkohësisht me këto ngjarje, duke dëshmuar një joseriozitet të dëmshëm për qëndrueshmërinë e shtetit të Kosovës.

Tashmë dihet që detyra e dytë e autoriteteve të Kosovës, pas kësaj të parës, më të madhes dhe më të rëndës  (për kthimin e tyre), është ajo e risocializimit dhe e rehabilitimin të të gjithë atyre që u riatdhesuan në vend.

Kjo nuk është fare një detyrë e lehtë. Duhet mund, durim, këmbëngulje të autoriteteve, dhe gatishmëri të vetë atyre që janë sërish këtu me ne, për ta tejkaluar si duhet këtë sprovë tjetër të shoqërisë kosovare.

Por ideja/ nocioni i rehabilitimit është i vlefshëm, në këtë rast, për gjithë shoqërinë dhe shtetin e Kosovës.

Rehabilitimi këtu nënkupton që ne si vend të sqarojmë një herë e mirë se çfarë na ka ndodhë në këtë rrëfim tragjik, apo, si lejuam që të mbërrijmë në një situatë të tillë, të paparë në historinë e Kosovës.

(Autori është kolumnist i rregullt i Lajmi.net)