Regjistrimi i popullsisë, Kurti: Rezultatet thelbësore për planifikim në gjithë sektorët
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) sot do t’i publikojë rezultatet e para përfundimtare të regjistrimit të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave (ReKos 2024). Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti këtë ditë e ka vlerësuar të rëndësishme për vendin, pasi siç tha ai të dhënat e sotme të regjistrimit të popullsisë janë thelbësore për të gjitha…
Lajme
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) sot do t’i publikojë rezultatet e para përfundimtare të regjistrimit të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave (ReKos 2024).
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti këtë ditë e ka vlerësuar të rëndësishme për vendin, pasi siç tha ai të dhënat e sotme të regjistrimit të popullsisë janë thelbësore për të gjitha aspektet e planifikimit në gjithë sektorët.
Ndërsa ka nënvizuar se ky regjistrim forcon pozitën e vendit në arenën ndërkombëtare.
“Sot është një ditë e rëndësishme për Kosovën pasi do të prezantohen rezultatet e para përfundimtare nga regjistrimi i popullsisë, ekonomive familjare e banesave në Kosovë. Publikimi në një kohë krejtësisht rekorde, përben një komponent shtesë pasi që statistikat cilësore marrin kohë e statistikat në kohë janë me vlerë… Regjistrimi është më shumë se mbledhje e statistikave, është pasqyrë e atyre ku jemi sa jemi dhe si mund të ecim përpara… Janë thelbësore për gjitha aspektet e planifikimit. Përfaqësojnë bazën për të hartuar politika të cilat adresojnë nevojat reale të qytetarëve…Ky regjistrim forcon pozitën tonë në ardhmen ndërkombëtare, shënon një përparim të madh për Kosovën”, tha Kurti.
Ai po ashtu ka ftuar të gjithë që të shfrytëzojnë këto të dhëna për një Kosovë të drejtë e të zhvilluar.
Ky projekt u vlerësua edhe nga ekspert ndërkombëtar. Eksperti ndërkombëtar, Eduardo Jongstra, është shprehur i impresionuar nga aftësitë e stafit të ASK-së.
“U impresionuam nga aftësitë e stafit të ASK-së. Veçanërisht lidhur me mënyrën se si u përdor teknologjia në formë tabletësh në përdorimin e sistemit global të pozicionimit, në çdo kohë menaxhmenti në ASK ishte në gjendje të shihte statustin e punës dhe progresin e regjistrimit të popullsisë. U impresionuam nga uniteti dhe solidariteti që u pa nga operatorët, mbikëqyrësit dhe intervistuesit… Nuk është vetëm koha është edhe cilësia dhe puna e plotë e kësaj. …Shfrytëzimi i të dhënave është me rendësi vendimtare”, tha ai.
Derisa ende në këtë konferencë nuk është dhënë shifër e re për numrin e banorëve.
Ndërkohë, sipas statistikave preliminare të publikuara muaj më parë, Kosova ka 1, 586,659 banorë.