Regjistrimi i popullsisë: ASK thuajse gati për këtë proces

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), ka njoftuar se tashmë kanë hyrë në një fazë vendimtare në procesin e saj të Regjistrimit të Popullsisë. Nga ASK’ja është bërë e ditur, se kjo është mundësuar pas trajnimit të mbi 700 mbikëqyrësve javën e kaluar, dhe se, trajnimi i ardhshëm i mbi 3 500 regjistruesve në të…

Lajme

23/03/2024 22:57

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), ka njoftuar se tashmë kanë hyrë në një fazë vendimtare në procesin e saj të Regjistrimit të Popullsisë.

Nga ASK’ja është bërë e ditur, se kjo është mundësuar pas trajnimit të mbi 700 mbikëqyrësve javën e kaluar, dhe se, trajnimi i ardhshëm i mbi 3 500 regjistruesve në të gjitha komunat e Kosovës shënon një hap tjetër të rëndësishëm drejt përgatitjeve finale për fillimin e Regjistrimit të Popullsisë, që fillon më 5 prill të këtij viti.

Komunikata e plotë:

ASK-ja bën përgatitjet e fundit për Trajnimin e Regjistruesve për Projektin e Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave (REKOS 2024

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) tanimë po hyn në një fazë vendimtare në procesin e saj të Regjistrimit të Popullsisë, pas trajnimit të suksesshëm të mbi 700 mbikëqyrësve, javën e kaluar.

Trajnimi i ardhshëm i mbi 3 500 regjistruesve në të gjitha komunat e Kosovës shënon një hap tjetër të rëndësishëm drejt përgatitjeve finale për fillimin e Regjistrimit të Popullsisë, që fillon më 5 prill të këtij viti.

Gjatë një takimi të fundit, këtë vikend, stafi i nevojshëm i ASK-së është angazhuar për këtë fazë me gatishmërisë dhe koordinimin ndërmjet tyre për t’i marrë direktivat kryesore për aktivitetet e ardhshme.

ASK-ja është duke hyrë në një fazë kritike të procesit të Regjistrimit të Popullsisë dhe është e domosdoshme, që të gjithë të jenë të përgatitur dhe të organizuar mirë. Trajnimi i suksesshëm i mbikëqyrësve ishte vetëm fillimi; tani duhet të sigurohemi që regjistruesit tanë të jenë të pajisur me mjetet dhe njohuritë e nevojshme për t’i kryer detyrat e tyre në mënyrë efektive.

Si pjesë e përgatitjeve, zyrtarëve të ASK-së u janë caktuar rolet dhe përgjegjësitë specifike, duke përfshirë shpërndarjen e regjistruesve nëpër sallat e caktuara nëpër komuna, plani i logjistikës, përgatitja e detyrave për testim, caktimi i Zonave Regjistruesve  (ZR) dhe një varg aktivitetesh të tjera me rëndësi.

Përpjekjet bashkëpunuese të ekipeve të ASK-së pasqyrojnë përkushtimin për saktësi, transparencë dhe efikasitet në kryerjen e Regjistrimit të Popullsisë në Kosovë. Ndërsa, përgatitjet arrijnë në fazat e tyre përfundimtare, ASK-ja mbetet e përkushtuar ndaj respektimit të standardeve ndërkombëtare të realizimit të Regjistrimit të Popullsisë (ReKos 2024) në Kosovë.