Refuzohet kërkesa për përjashtimin e kryetares së trupit gjykues në rastin “53-milionëshi”
Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Albina Shabani-Rama ka refuzuar kërkesën për përjashtimin e kryetares së trupit gjykues, Violeta Namani-Hajra nga gjykimi i rastit të njohur si “53-milionëshi” ndaj të akuzuarve Pal Lekaj, Eset Berisha, Nebih Shatri dhe Besim Tahiri, të akuzuar për keqpërdorim të detyrës lidhur me autostradën “Arbën Xhaferi”. Vendimi vjen pasi në seancën…

Lajme
Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Albina Shabani-Rama ka refuzuar kërkesën për përjashtimin e kryetares së trupit gjykues, Violeta Namani-Hajra nga gjykimi i rastit të njohur si “53-milionëshi” ndaj të akuzuarve Pal Lekaj, Eset Berisha, Nebih Shatri dhe Besim Tahiri, të akuzuar për keqpërdorim të detyrës lidhur me autostradën “Arbën Xhaferi”.
Vendimi vjen pasi në seancën e rigjykimit më 14 maj 2025, i akuzuari Eset Berisha kërkoi përjashtimin e gjykatëses Namani-Hajra. Avokatja e Berishës, Teutë Xhema, tha në atë sancë se këtë kërkesë e kanë bërë për shkak të dyshimit për mungesë të paanshmërisë.
Në këtë rast, Pal Lekaj, në cilësinë e ministrit të Ministrisë së Infrastrukturës (MI), Eset Berisha, në cilësinë e këshilltarit të lartë politik i tij, Nebih Shatri, si sekretar i Përgjithshëm në këtë ministri dhe Besim Tahiri, si drejtor i Prokurimit Publik në MI, ngarkohen nga Prokuroria për keqpërdorim të detyrës zyrtare në bashkëkryerje, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Refuzimin e kërkesës për përjashtimin e kryetares së tupit gjykues, e konfirmoi për “Betimi për Drejtësi”, Mirlinda Gashi, zëdhënëse e Gjykatës Themelore në Prishtinë.
“Është refuzuar kërkesa për përjashtimin e kryetares së trupit gjykues, gjykatëses Violeta Namani-Hajra, për përjashtim të gjykimit në rastin ndaj Pal Lekajt, etj”, tha Gashi.
Gjykata Themelore në Prishtinë më 31 janar 2024 i shpalli fajtorë dhe i dënoi me 10 vjet e 3 muaj burigm (së bashku): Pal Lekajn, Eset Berishën, Nebih Shatrin dhe Besim Tahirin për rastin e njohur si “53-milionëshi”.
Sipas aktgjykimit të Themelores, Pal Lekaj u dënua me 3 vite e 8 muaj burgim efektiv. Ndaj tij, gjykata shpalli edhe dënim plotësues, ndalimi i ushtrimit të funksionit publik në administratë publike ose në shërbimin publik në kohëzgjatje prej 3 vite e 6 muaj.
Nebih Shatri u dënua me 1 vit e 8 muaj burgim, kurse Besim Tahiri u dënua me 1 vit e 8 muaj burgim. Ndaj tyre u shpall edhe dënim plotësues, ndalim i ushtrimit të funksionit publik në administratë publike ose në shërbimin publik në kohëzgjatje prej 2 vitesh. Ndërsa, Eset Berisha u dënua me 3 vite e 3 muaj burgim.
Po ashtu, ndaj Berishës u shpall edhe dënimi plotësues ndalimi i ushtrimit të funksionit publik në administratë publike ose në shërbimin publik në kohëzgjatje prej 3 vitesh.
Por, Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim rastin ndaj Pal Lekajt, Eset Berishës, Nebih Shatrit dhe Besim Tahirit,
“Betimi për Drejtësi” kishte raportuar lidhur me përmbajtjen e vendimi të plotë të përpiluar nga Themelorja në Prishtinë, duke publikuar gjetjet e gjykatës nga mbrojtja e të akuzuarve dhe gjetjet nga deklaratat e dëshmitarëve. Po ashtu, edhe për gjetjet e Apelit.
Sipas aktakuzës së ngritur më 4 shkurt 2022 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, Pal Lekaj, në cilësinë e ministrit të Ministrisë së Infrastrukturës (MI), Eset Berisha, këshilltar i lartë politik i tij, Nebih Shatri, si sekretar i Përgjithshëm në këtë ministri, në bashkëveprim dhe me dashje edhe me të pandehurin Besim Tahiri, drejtor i Prokurimit Publik në MI, akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare me rastin e ndarjes së 53 milionë eurove për konsorciumin “Bechtel &Enka”, për ndërtimin e autostradës Prishtinë – Hani i Elezit apo e njohur ndryshe si autostrada “Arbën Xhaferi”.