Refuzimi i PDK-së, LDK-së dhe Aleancës, a do të zhvillohet takimi i thirrur nga Haxhiu?
Takimi konsultativ i thirrur për të martën nga ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, do të zhvillohet pa pjesëmarrjen e partive kryesore të ish-opozitës, pasi Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca kanë refuzuar ftesën. Në Zyrën e Presidencës nuk treguan nëse do të mbahet takimi edhe pa këto parti parlamentare.…
Lajme
Takimi konsultativ i thirrur për të martën nga ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, do të zhvillohet pa pjesëmarrjen e partive kryesore të ish-opozitës, pasi Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca kanë refuzuar ftesën. Në Zyrën e Presidencës nuk treguan nëse do të mbahet takimi edhe pa këto parti parlamentare.
Haxhiu i ka ftuar liderët apo përfaqësuesit e subjekteve politike në një takim konsultativ për çështjen e zgjedhjes së presidentit. Megjithatë, ftesa është pritur me rezerva nga partitë e ish-opozitës, të cilat kanë shprehur qëndrime të ndryshme lidhur me mënyrën se si duhet të tejkalohet bllokada politike dhe të formohen institucionet e reja.
PDK-ja ka kërkuar vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit, ndërsa Aleanca ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për zvarritje të procesit institucional. Të dyja subjektet kanë vlerësuar se takimi i thirrur nga Haxhiu nuk është rruga për zgjidhjen e ngërçit aktual. Ndërkaq, sot, lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku, bëri të ditur se nuk do të marrë pjesë në takimin e ftuar nga Haxhiu. Ai tha se takimet e vetme që mund t’i mbajë është me kryetarët e partive, në këtë rast, liderin e LVV-së, Albin Kurti.
Në anën tjetër, çështja e presidentit mbetet një nga nyjet kryesore të krizës institucionale. Pikërisht në këtë drejtim, analisti i çështjeve politike, Mazllum Baraliu, vlerëson se zgjidhja duhet të kërkohet përmes dialogut ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Sipas Baraliut, edhe pas refuzimit të LDK-së për të marrë pjesë në takimin e Haxhiut, LVV-ja duhet të vazhdojë komunikimin me partinë e Lumir Abdixhikut, me qëllim që të arrihet një marrëveshje për zgjedhjen e një presidenti konsensual.
“ Mbetet i vetmi solucion dhe e vetmja alternativë ose zgjidhje që me LDK-në fituesi i zgjedhjeve të ketë kontakt dhe të bëjë një zgjidhje… qoftë marrëveshje vetëm për presidentin. Të tjerat janë të zgjidhshme. Çështja e votave për zgjedhjen e kryetarit, nënkryetarëve ekziston, po ashtu marrëveshja për votim në pako ekziston. Po ashtu, edhe sa i përket qeverisë, numrat ekzistojnë. Çështje kyçe e ngërçit është presidenti”, thotë ai.
Baraliu e sheh mungesën e vullnetit politik si problemin kryesor të situatës aktuale. Ai thotë se partitë kanë mundësi të gjejnë variante dhe alternativa për tejkalimin e krizës, por për këtë nevojitet gatishmëri reale për kompromis.
Ai konsideron se çështjet e tjera institucionale janë të zgjidhshme dhe se numrat për konstituimin e institucioneve ekzistojnë. Sipas tij, pengesa kryesore mbetet pikërisht zgjedhja e presidentit.
“Patjetër që mund të zgjidhet çështja. Mund të ketë opsione, alternativa dhe variacione të ndryshme, por duhet vullnet politik i shprehur nga këto parti politike. Për fat të keq, po luajnë lojën, nuk e di të kujt, por jo të duhurën politike, me rolin dhe përgjegjësinë e tyre që e kanë për të krijuar institucione”, thekson Baraliu.
Kuvendi i Kosovës ende nuk është konstituuar, pasi në dy tentimet e deritanishme nuk është arritur të zgjidhet kryetari i Kuvendit dhe të përmbyllet procesi i konstituimit të Legjislaturës së 11-të.
Seanca konstituive po vazhdon të jetë në qendër të përplasjeve mes partive parlamentare, ndërsa dështimi për formimin e institucioneve po e zgjat krizën politike në vend. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka kërkuar kohë për arritjen e një marrëveshjeje politike, në përpjekje për t’i hapur rrugë konstituimit të Kuvendit dhe formimit të institucioneve të reja.
Megjithatë, PDK-ja dhe Aleanca kanë vazhduar aksionet politike për të kërkuar mbajtjen e seancës konstituive. Ndërkohë, Lidhja Demokratike e Kosovës ka njoftuar se ka ndërprerë negociatat me LVV-në për koalicion qeverisës, por janë shprehur të hapur për një zgjidhje për presidentin konsensual.