Refugjati kosovar bëhet Marins britanik

Një i ri nga Kosova, i cili kishte ikur në Mbretërinë e Bashkuar, ka arritur që të bëhet pjesë e Marinës Mbretërore. Ai thotë se këtë gjë e kishte dashur që kur kishte parë trupat e marinës të ndërhynin në Kosovë. Tash ëndrra e tij është bërë realitet.

Lajme

18/02/2014 15:06

Arben Islami ishte vetëm 15 vjeç kur pa trupat e Marinës Mbretërore teksa po hynin në Kosovë në vitin 1999, si pjesë e ndërhyrjes së NATO’s për të shpëtuar shqiptarët e Kosovës nga agresioni i udhëhequr nga Slobodan Milosevic.

“Si fëmijë ne kemi parë marinsat në Kosovë dhe prej atij momenti unë e kam ditur se dua të bëhem si ata. Pastaj unë erdha në Mbretërinë e Bashkuar”, thotë Arbeni.

Sot, Arbeni është 28 vjeç, jeton në Mbretërinë e Bashkuar, dhe besoni apo jo, është një rezervist i Marinave Mbretërore.

Pasi kishte shkuar në Mbretëri të Bashkuar si refugjat, fillimisht kishte qëndruar në një strehimore, dhe pastaj mësoi gjuhën dhe përfundimisht në vitin 2012 fitoi shtetësinë britanike.

Dhe pikërisht një ditë pasi që morri nënshtetësinë ai aplikoi që të ju bashkohet trupave të marinave.

Fotografi e Arben Islamit, i cili u promovua në marins britanik

 

“Dëshiroja që t’u bashkohesha dhe në një mënyrë t’ua ktheja sado pak të mirën, pasi që ata na kanë ndihmuar shumë ne”.

“Jam shumë i lumtur që jam pjesë e Marinës, besoni nuk mund të shpreh gëzimin tim aq sa duhet. Gjithmonë e dija se kjo gjë do të ishte një sfidë e madhe, që do të më shtynte deri tek limitet, dhe për këtë arsye unë kam vendosur që të bashkohem me trupat”.

Arben Islami ka zhvilluar 10 javë trajnime në Devon. Ai që kur se la Kosovën nuk është kthyer asnjëherë për vizitë. Nuk ka plane që të kthehet. Në Britani ai ka krijuar tashmë familjen e tij.