Reformat për integrim në BE, Suedia i jep 70 milionë euro Kosovës

Janë 70 milionë euro që Kosova do të përfitojë nga Seudia, shumë kjo qo do të destinohet në reforma që kanë të bëjnë me integrimin ekonomik me Bashkimin Europian.

Lajme

16/10/2015 11:34

Kjo shumë e ndarë nga shteti skandinav përfshin periudhën e reformave deri më 2020.

Ministri i Integrimeve Europiane, Bekim Çollaku  me anët të një postimi në Facebook, ka thënë se këto mjete do të  përdoren për reforma që lidhen me integrimin në BE, zhvillimin e ekonomisë funksionale të tregut, fuqizimin e demokracisë etij.

“Sot nënshkrova në emër të Republikës së Kosovës një marrëveshje kornizë me Suedinë për bashkëpunim reformues. Kjo marrëveshje, që kap vlerën e rreth 70 milion eurove për periudhën kohore deri më 2020, do të fokusohet në reforma që kanë të bëjnë me integrimin ekonomik me BE-në, zhvillimin e ekonomisë funksionale të tregut, fuqizimin e demokracisë, respektimin më të madh të të drejtave të njeriut dhe sundimin e ligjit, mbrojtjen e mjedisit dhe ndryshimet klimatike”, ka shkruar Çollaku në profilin e tij në Facebook.

Ai është shprehur falënderues karshi përkushtimit të Suedisë për proceset reformuese në Kosovë.

Sipas tij asistenca që ky shtet po ia jep Kosovës do të ketë ndikim konkret në përshpejtimin e reformave në fushën ekonomike dhe të sundimit të ligjit, fusha këto që lidhen me rrugën e Kosovës në BE. /lajmi.net