Reforma zgjedhore kryhet të premten

Kryetari i Komisionit për Legjislacion beson se Kryesia e Kuvendit do të ketë tekstin e gatshëm të Reformës zgjedhore të premten. Kryesia e Kuvendit pastaj do ta fus në rend të ditës në seancën e radhës të Kuvend për lexim të parë.

Lajme

18/02/2014 16:07

Komisioni për Legjislacion ka punuar sot në finalizimin e reformës zgjedhore.

Në takimin e sotëm të këtij komisioni është diskutuar për fushatën zgjedhore, për listën zgjedhore, për Qendrat e Votimit, për sigurinë fletëvotimeve e shumë çështje të tjera.

Kryetari i këtij Komisioni, Arben Gashi ka propozuar që kohëzgjatja e fushatës zgjedhore të jetë 15 deri 20 ditë.

Gashi tha gjithashtu se stema dhe logoja në fletëvotime si dhe në dokumentet përcjellëse duhet të përcaktohet në bazë të Ligjit për Dokumentet Zyrtar. Nëse fletëvotimi quhet dokument zyrtar Gashi tha se duhet të ketë logo dhe stemë.

“Kjo çështje ka mbetur të shqyrtohet dhe të shihet në harmoni me Ligjin për Dokumente Zyrtare, që të dihet se a konsiderohet dokument zyrtarë fletëvotimi, mirëpo në dokumentacionin përcjellës duhet të jetë në secilin dokument logoja e Republikës së Kosovës”.

Ai shtoi se puna në Komision pritet të përfundohet deri të premten, dhe pastaj do të dërgohet në Kryesi të Kuvendit, në mënyrë që t’i dërgohet ligji për zgjedhje Kuvendit për lexim të parë.

“Kemi pasur progres shumë të mirë, na kanë mbetur edhe 30 nenet e fundit, që të ridraftohen ato që janë për t’u ridraftuar. Nesër vazhdon puna dhe ditën e premte do të jetë i gatshëm që të dorëzohet në Kryesi të Kuvendit dhe të shkojë për lexim të parë”.

Ai nuk beson se takimet e liderëve politikë për Reformën zgjedhore po krijojnë një proces paralele.

“Jo, liderët politikë nuk merren me çështje konkrete, ata merren me çështje strategjike, por dhe për konsultë të brendshëm në kuptim të organizim të zgjedhjeve, ndërsa për çështje teknike merremi ne këtu”.

“Nuk ka këtu sisteme paralele, vendimet merren në Kuvendin e Kosovës”.

“Komisioni për Legjislacion e kryen punën e vet, bën shkresat përcjellëse i dorëzon në Kryesi dhe Kryesia, nëpërmjet kryetarit të Kuvendit i dorëzon në Qeveri. Nuk e dorëzon Komisioni”.

Ndërkaq, Valdete Daka tha se personat që kanë kryer vepër penale nuk mund të jenë vëzhgues në zgjedhje. Por, Daka mendon se kjo gjë mund të jetë e komplikuar për tu vërtetuar, pasi që është e paqartë se kush do kontrollojë, se nëse një person ka kryer vepër penale.

Kandidatët në zgjedhje të cilët kanë një vendim të formës së prerë nga Gjykata gjithashtu përjashtohen nga kandidimi. Kjo gjë ka qenë e paraparë edhe me ligjin ekzistues.

“Po, unë shpresoj, se për atë gjë është duke u bërë kjo reformë zgjedhore që të kemi një proces më të mirë zgjedhor. Në qoftë se arrihet të përfundohen dhe në qoftë se arrihen që të bëhen të gjitha këto ndryshime e propozuara, atëherë konsideroj se po, do të kemi një proces më të mirë zgjedhor”.

“Edhe në zgjedhjet e kaluara megjithatë kemi pasur një proces të mirë falë shumë faktorëve të tjerë, jo vetëm ligjit”.

Valdete Daka tha se nëse vendoset që listat e votuesve të kenë fotografi, personat që shkojnë të votojnë nuk kanë nevojë të kenë me vete dokumente identifikuese.

“Në qoftë se bëhet që lista votuese të bëhet me fotografi unë konsiderojë se identifikimi fare nuk duhet të bëhet sepse personi vjen në vendvotim dhe përderisa ekziston fotografia e atij personi nuk ka pse ai ta identifikojë vetën edhe me dokumente”.

“Është çështje tjetër për votimin jashtë Kosovës, ata duhet të identifikohen”.

Ndërkaq, Ismet Kryeziu nga shoqëria civile beson se nëse ndryshohen disa elemente në këtë ligj për zgjedhje, procesi zgjedhor do të jetë më i mirë.

“Ndryshimet a po ndodhin me ende nuk e dimë sepse ende nuk kemi votim të Komisionit për të gjitha propozimet. Gjithashtu edhe propozimet ende nuk kanë shkuar në Kuvend, prandaj nuk e dimë se a do të ndodhin ndryshime”.

“Ka elemente të cilat do të përmirësojnë procesin zgjedhor, ka elemente që e pastrojnë ligjin nga dykuptimësia që ka qenë”.

“Të gjitha këto besoj se e bëjnë më të mirë procesin zgjedhor”.

Ndërkaq, gjatë mbledhjes të Komisionit janë propozuar edhe disa ndryshime.

Neni 70, parashihet që të sanksionojë të gjitha ato subjekte që nuk deklarojnë prejardhjen e parave.

Gjithashtu është diskutuar për heshtjen zgjedhore, ku në ligjin e vjetër parashihet që ajo zgjatë 36 orë, por tash duhet të shikohet se a mund të konsiderohet edhe dita e zgjedhjeve.

Të gjitha këto propozime pritet që të votohen dhe të amandamentohen në ditët në vijim.