Reduktime të ujit në kryeqytet deri në 2016-ën

Batllavës i duhen edhe 89 centimetra, ndërsa Badovcit edhe 4.3 metra për të arritur nivelin maksimal. Sipas zyrtarëve të Ujësjellësit, rritja e niveleve ka bërë që të ketë më pak reduktime të ujit në kryeqytet.

Lajme

29/06/2014 23:18

Në Badovc janë larguar turbullirat nga shirat, ndërsa në Batllavë ende jo tërësisht. Por, pavarësisht kësaj, thuhet se është duke u punuar me kapacitet maksimal prodhues.

Arjeta Mjeku – Azizi, zëdhënëse e Ujësjellësit rajonal “Prishtina” thotë se lagjet që furnizohen nga sistemi i Batllavës kanë 7 orë reduktime brenda 24 orëve, ndërkaq lagjet që furnizohen nga sistemi i Badovcit kanë ujë 13 orë ujë dhe 11 jo. 

“Mund të kenë reduktime të shumta, mirëpo theksoj që javën e fundit, reduktimet janë më të mirat në historinë e Ujësjellësit të Prishtinës, “ thotë Mjeku-Azizi. “Lagjet në Prishtinë janë rritur, ka pasur invasion të popullsisë në lagjet që furnizohen nga sistemi i Badovcit, i cili siç e dimë është më i vogël se ai i Batllavës”. 

Sipas saj, në disa zona të kryeqyteti ka shtëpi që edhe tash ujin nuk e marrin apo e marrin me shumë vështirësi në pikat e larta. Kjo, sipas saj, ndodh sepse ato shtëpi janë bërë pa ndonjë plan, e fillimisht nuk janë pajisur me leje nga ujësjellësi për të ditur nëse në zonat në fjalë mund të furnizohen me ujë ose jo. Mjeku thotë se këto shtëpi janë ndërtuar mbi kuotat e rezervarëve që posedon Ujësjellësi Rajonal. 

Ajo gjithashtu thotë se reduktime do të ketë për edhe dy vjet të tjera. 

“Këto reduktime do të bëhen deri në vitin 2016. Mund të ketë një orë ose dy përmirësim apo keqësim, nëse uji fillon të keqpërdoret, mirëpo këto janë reduktimet më të mira që mund t’i kemi deri në vitin 2016 kur ndërtohet edhe fabrika në Shkabaj”, ka thënë Mjeku. (RTK)