Recetë verore: Bamje me domate dhe speca

11:39 | 22 Prill 2019

Bamjet janë perimet më fantastike, plot shije e të pasura me vlera ushqyese.

Tradita e kuzhinës shqiptare në përgatitjen e bamjeve është e mrekullueshme në shijen që ofron.

Të përgatitura në tavë balte e të pjekura në furrë, gjellë apo edhe supë, bamjet mbeten përherë fantastike në shijen që ofrojnë.

Duke qenë se është një perime, sezoni i të cilës  është në muajt e verës dhe fillim vjeshtës, me siguri amvisat janë kujdesur që ta kenë këtë perime edhe përgjatë stinëve të tjera duke përdorur metodën e ngrirjes së tyre në frigorifer.

AgroWeb.org u sugjeron më poshtë përgatitjen e bamjeve me domate, një nga mënyrat më tradicionale të përgatitjes së bamjeve.

Përgatitja e Bamjeve Jahni në Shtëpi

Përbërësit

(Përbërësit më poshtë janë për 4-5 persona. Kjo është një gjellë verore, e cila zakonisht përgatitet pa mish. Por nëse preferoni ta përgatisni me mish atëherë tek përbërësit duhet të shtoni edhe 4-5 thela mish)

1.5 kg bamje

2 filxhanë kafeje me vaj ulliri

2 kokrra qepë

4-5 kokrra domate

2-3 speca

Kripë

Majdanoz

2-3 filxhanë kafeje me uthull (Nëse preferoni)

Përgatitja

Bamjet e freskëta pastrohen nga bishti në formë konike, vendosen në ujë me kripë e uthull për 10 minuta.

Fërkohen me duar që t’u largohet pushi, shpëlahen, kalohen në skuqje të lehtë dhe rreshtohen në tenxhere me bishtat anash duke shtruar në fund feta domatesh dhe specash.

Në vajin e ullirit që ka mbetur, AgroWeb.org ju udhëzon që të kaurdisni qepën e grirë hollë.

Nëse do ta përgatisni me mish, atëherë pasi të kaurdisni qepët shtoni dhe kaurdisni thelat e mishi e më pas vijoni recetën si më poshtë.

Hidhen specat e prera në copëza të vogla e më pas domatet e qëruara nga cipa e të grira hollë dhe vijohet kaurdisja.

Shtohet kripë, majdanoz i grirë, majdanoz i grirë hollë dhe u hidhet bamjeve.

Sipër vihen feta domateje, mbulohen me pjatë, u hidhet lëng mishi ose ujë dhe zihet derisa gjella të mbetet me pak lëng.

Për të mos i’u prishur forma bamjet gjatë shërbimit kthehen në tepsi duke i përmbysur.

Bamjet mund t’i përgatisni si më sipër dhe t’i vendosni në një tavë në vend të tenxheres duke i futur më pas të piqen në furrë.