Receta e shëndetshme – Sallata me lakër dhe kos
Përveç shijes së veçantë, lakra ka nivelet më të larta të antioksidantëve mes perimeve, duke e shndërruar në një zgjedhje shumë të shëndetshme.
Lifestyle
Lakrat e bardha në këtë periudhë janë në çdo treg fruta perimesh, shkruan “TopChannel”.
Përveç shijes së veçantë, lakra ka nivelet më të larta të antioksidantëve mes perimeve, duke e shndërruar në një zgjedhje shumë të shëndetshme, transmeton lajmi.net.
Recetat me këtë perime janë të shumta, duke filluar nga dollmatë e mbushura me oriz e deri tek turshitë e mrekullueshme.
Lakra e bardhë gjithashtu është dhe përbërësi i shumë sallatave plot vitamin dhe shije.
Sallata me lakër të lardhë dhe kos përgatitet fare lehtë dhe mund të shoqërojë vaktet e ngrohta në familje.
Mjaftojnë vetëm disa minuta dhe do të keni përgatitur një recetë të re për të kënaqur familjarët tuaj.
Përbërësit
150 g kos
2 lugë gjelle me uthull molle
1 lugë gjelle vaj ulliri
Kripë
Piper i zi
500 g lakër
Hapat e përgatitjes
Filloni duke pastruar lakrën e më pas duke e shplarë me ujë të bollshëm. Lakrën duhet ta grini jo shumë imët. Mund të përdorni renden nga ana e rrallë e dhëmbëzave.
Sipas preferencës, për më shumë shije mund të kombinoni lakër të bardhë me lakër të kuqe si dhe mund të shtoni edhe 2-3 karrota të grira në rende.
Kalojeni lakrën e grirë në një tas të thellë dhe spërkateni me kripë dhe me duar shtypeni lehtë.
Ky proces do të mundësojë që lakra të marrë kripën e nevojshme dhe të ketë një shije më të fortë.
Në një tas të vogël hidhni kosin, uthullën e mollës kripën dhe piperin dhe me ndihmën e telit të kuzhinës përzjejini derisa të krijohet një masë homogjene.
Këtë përbërje hidhjani sipër lakrës dhe përzjejeni në mënyrë që të gjitha copëzat e lakrës të jenë të mbuluara me të.
Për një shije më të mirë, mbulojeni tasin me qese kuzhine dhe vendoseni në frigorifer për të paktën 30 minuta.
Kur e lejoni që të qëndrojë në frigorifer, lakra do të zbutet pasi do të përthithi lagështirën e kosit. Shija e tyre do të ndërthuret duke rezultuar në një sallatë të freskët dhe plot vlera shëndetësore.
Para se ta servirni lëreni pak në temperaturë ambjenti dhe spërkateni sipër me vaj ulliri. /Lajmi.net/