Receta e orizit të ngrohtë me brokoli – shije dhe shëndet në një pjatë

Pjatat e thjeshta, të shijshme e të shëndetshme gjenden shumë rrallë dhe janë të mrekullueshme. Një të tillë jua sugjeron AgroWeb në recetën e sotme.

Lifestyle

13/04/2020 17:58

Përgatisni shpejt dhe lehtë orizin e shëndetshëm me brokoli i cili ka një shije dhe aromë të veçantë.

Për të gjithë ata që preferojnë vaktet e lehta dhe të jetuarin shëndetshëm, kjo pjatë do të kthehet ndër të preferuarat e listës pa u munduar fare.

Në një pjatë të vetme do të merrni shumë fibra dhe vitamina si A, E dhe C.

Ndiqeni më poshtë mënyrën e saktë të përgatitjes për të shijuar menjëherë këtë recetë.

Përbërësit

700 gr brokoli

320 gr oriz

1 qepë e kuqe

50 ml vaj ulliri

1 l lëng mishi ose ujë

kripë

piper i zi

djathë i grirë kaçkavall

Përgatitja

Për të nisur me përgatitjen e kësaj recete AgroWeb.org ju këshillon që të filloni me përgatitjen e lëngut të mishit, nëse zgjidhni ta përdorni atë dhe jo ujin.

Më pas filloni me pastrimin e brokolit me shumë kujdes.

Lajeni dhe priteni me kujdes duke ndarë kërcellin nga pjesa e kurorës së kësaj perimeje.

Lani edhe pjesën e kërcellit, pastrojeni mirë dhe priteni në radhë apo kubikë të vegjël.

Hidhini copëzat e kërcellit në mikser dhe përziejini për disa sekonda derisa të formohet një masë e hollë dhe e lëngshme.

Ndërkohë në një tigan hidhni 30 ml vaj ulliri bashkë me qepën e grirë imët dhe lërini të skuqen së bashku.

Pas disa minutash kur qepa të jetë zbutur dhe të ketë marrë ngjyrë, shtoni edhe lëngun e kërcellit të brokolit që përgatitët më parë.

Përziejini pak dhe shtoni brokolit e lara dhe të pastruara që të skuqen dhe zbuten mirë.

Në një tjetër tigan shtoni pjesën e mbetur të vajit të ullirit e më pas orizin.

Lëreni të gatuhet me pak lëng mishi në një tigan.

Kur të jetë gati hidheni tek tigani tjetër ku ndodhen brokolit dhe përzieni mirë.

Pak nga pak hidhni edhe lëngun e mishit, duke përdorur masa të vogla dhe jo të gjithin menjëherë.

Lëngun e mishit shtojeni sa herë të shikoni që uji në tigan po shteron.

Procesi do të zgjasë i gjithi rreth 20 minuta dhe orizi do të jetë zbutur.

Në fund shtoni kripën sipas dëshirës dhe fikni zjarrin.

Hidhni edhe djathin kaçkavall të grirë bashkë me piperin dhe mund ta shërbeni menjëherë.