Receta e mengjesit – Petulla në furrë
I keni provuar ndonjëherë petullat e pjekura?
Lifestyle
Këto ëmbëlsira janë më të lehta dhe të shëndetshme pasi nuk skuqen me vaj, shkruan “AgroWeb”.
Një recetë mahnitëse që mund ta zbuloni duke ndjekur hap pas hapi këshillat tona, transmeton lajmi.net.
Përgatitini dhe ju këto petulla të vogla e rrumbullake plot shije dhe me një butësi të parezistueshme.
Përbërësit përreth 40 petulla
3 vezë
500 g miell
150 g sheqer
250 ml qumësht
Lëkura e një limoni
Fryrës për ëmbëlsira 16 g
Përgatitja
Për të përgatitur petullat e furrës filloni me brumin e tyre. Hidhni vezët në një tas të madh dhe shtoni sheqerin. Me telin e kuzhinës përziejini derisa të krijohet një masë kremoze me ngjyrë të verdhë të hapur.
Më pas, grini lëkurën e një limoni dhe shtojani vezëve me sheqerin, përziejini përsëri në mënyrë që të bashkohen të gjithë përbërësit.
Qumështi, i cili duhet të jetë në temperaturë ambienti, shtohet dalëngadalë në mënyrë që të krijohet një masë homogjene. Në këtë fazë shtohet mielli dhe fryrësi, që preferohet më parë ta kaloni në një sitë kështu brumi i petullave do të jetë më i butë.
Gjithmonë duke përzierë me telin e kuzhinës që të shmanget krijimi i kokrrizave të patretura të miellit. Pasi të jetë formuar një brumë më i trashë se i petullave të zakonshme, merrni një tavë dhe lyejeni sipërfaqen e saj me gjalpë të shkrirëm, transmeton lajmi.net.
Më pas me një lugë gjelle filloni dhe merrni pak nga brumi i petullave dhe vendoseni në tavë duke i dhënë një formë të rrumbullakët dhe lini pak hapësirë mes petullave, pasi kur të piqen ato do të fryhen.
Tavën vendoseni në furrë të parangrohur me 180 gradë Celsius përreth 25 minuta. Pasi të jenë pjekur plotësisht, nxirrini nga furra dhe vendosini në një pjatë të sheshtë dhe mund t’i spërkatni me pak sheqer pluhur.
Por nëse dëshironi mund t’i shoqëroni thjesht me mjaltë apo djathë. Nëse preferoni mund të përzieni pak sheqer pluhur dhe kanellë dhe t’i spërkasni petullat.
Këto petulla janë perfekte për çdo pjesë të ditës, si për një mëngjes të plotë por dhe si një ëmbëlsirë të shëndetshme. /Lajmi.net/