Receta e ditës – Supa me brokoli dhe patate

Supa që duhet të përgadisni sot është supa me brokoli dhe patate.

Lifestyle

20/12/2020 14:35

Kjo është periudha ideale për të përgatitur receta të ndryshme, të shijshme e të shëndetshme me brokoli, shkruan “AgroWeb”.

Një perime me vlera fantastike që jo vetëm u jep shije gatimeve të ndryshme por edhe shëndet trupit gjithashtu, transmeton lajmi.net.

Janë të shumta mënyrat e përgatitjes së supës me brokoli.

Përgatitja e supës me brokoli dhe patate

Përbërësit

(Përbërësit më poshtë janë për 4 persona)

400 gr brokoli

2-3 patate mesatare

1-2 karrota (sipas dëshirës)

1 kokërr qepë

Një lugë çaji me gjalpë të freskët

2-3 lugë gjelle vaj ulliri

700-800 ml lëng pule ose ujë

1 gotë qumësht ( 200 ml)

1 lugë gjelle miell

Kripë

Piper

Mjadanoz

Përgatitja 

Si fillim, pastrojmë të gjitha perimet me ujë të rrjedhshëm.

Patatet dhe karrotat i qërojmë dhe i presim në kubikë të vegjël ndërsa ndajmë brokolin në degëza të vogla.

Në një tenxhere hedhim vaj ulliri, e vendosim në zjarr dhe më pas shtojmë qepën e grirë hollë, e kaurdisim për 2-3 minuta derisa volumi të ulet pak.

Më pas shtojmë karrotat dhe patatet e prerë në kubikë, vijojmë t’i kaurdisim për pak.

Shtojmë lëngun e pulës ose ujë dhe i lëmë të ziejnë bashkë përreth 30 minuta.

Për të përfituar maksimalisht nga vlerat e brokolit, shtoni degëzat e brokolit 6 minutat e fundit që të ziejnë bashkë me përbërësit e tjerë të supës.

Në fund, vendosni një tigan në zjarr, kaurdisni miellin me pak gjalpë. Sapo mielli nis të zverdhet shtoni qumështin dhe përziejeni mirë dhe pa ndërprerje në mënyrë që të mos krijohen kokërriza.

Masën e krijuar me qumësht hidhjani supës dhe lërini në zjarr të marrin një valë për pak minuta duke i përzjerë vazhdimisht.

Hiqeni nga zjarri dhe sipas preferencës mund ta fusni në mikser derisa të jetë përftuar një masë kremoze e supës.

Supën e rregullojmë me kripë dhe piper.

E hedhim në tasat e servirjes së supës, i spërkasim me pak vaj ulliri dhe majdanoz të grirë hollë dhe e shërbejmë të ngrohtë dhe me bukë të thekur shoqëruar.

Nëse preferoni, kur ta servirni, supës mund t’i hidhni pak djathë kaçkavall të grirë. /Lajmi.net/