Receta e ditës – Petulla në Kos dhe Hudhër

Tradita e hershme e gjysheve dhe nënave përsëritet brez pas brezi. Receta e petullave pavarësisht se pasurohet me përbërës të tjerë ajo mbetet përherë e gjithmonë më e preferuara.

Lifestyle

23/11/2020 11:59

Nëse ka një kërkesë drejt nënave apo gjysheve për të gatuar diçka të mirë e të shijshme, padyshim në krye të listës së gatimeve shqiptare janë petullat, shkruan “AgroWeb”.

Tradita e hershme e gjysheve dhe nënave përsëritet brez pas brezi. Receta e petullave pavarësisht se pasurohet me përbërës të tjerë ajo mbetet përherë e gjithmonë më e preferuara, transmeton lajmi.net.

Të shijshme, me sipërfaqen pakëz krokante dhe të buta nga brenda, nga fëmijëria e në çdo moshë ato tërheqin shijen e kujtdo.

Ne sugjerojmë më poshtë përgatitjen e petullave të shtëpisë të futura në kos dhe hudhër, një recetë fantastike për ta përgatitur në familje në çdo kohë.

Receta e Shijshme e Përgatitjes së Petullave të Shtëpisë

2 gota uji me miell

1 gotë uji me kos

1 kokërr vezë

Gjysmë luge kafeje me sodë

Vaj

Pak kripë

Pak nenexhik i freskët i grirë hollë

Pak gjalpë (një lugë të vogël)

Përgatitja e petullave

Në një tas të madh hedhim vezën, kosin, kripën, nenexhikun dhe pak gjalpë.

I rrahim fortë të gjithë përbërësit dhe më pas hedhim miellin dhe sodën.

Vijojmë t’i rrahim fortë derisa masa e brumit të jetë e njëtrajtshme.

Brumi duhet të jetë gjysmë i trashë dhe elastik.

Hedhim vajin në një tigan, të cilin e vendosim në zjarr.

Kur vaji të jetë nxehur nisim të skuqim petullat.

Mund të përdorim një lugë gjelle për ndarjen e brumit për çdo petull.

Duhet të kujdesemi që largësia nga njëra tjetra duhet të jetë deri në 3 apo 4 cm sepse gjatë skuqjes brumi hapet.

Petullat skuqen nga njëra anë dhe pastaj kthehen nga ana tjetër.

Përgatitja e kosit me hudhra

Për një person merret një gotë kos, hollohet me pak ujë, i shtohet pak kripë, një thelpi hudhër e shtypur, përzihen pak dhe në të shtohet disa petulla, sipër sipas preferencës mund ta spërkasni me pak gjalpë të shkrirë ose vaj ulliri. /Lajmi.net/