Receta e ditës – Pastiço me mish të grirë
Provoni të përgatisni recetën e pastiços me mish të grirë dhe krem qumështi
Lifestyle
Nëse doni të provoni diçka speciale e që t’ju mrekullojë tërësisht me shijen e saj provoni të përgatisni recetën e pastiços me mish të grirë dhe krem qumështi, apo siç njihet ndryshe me beshamelë, shkruan “AgroWeb”, transmeton lajmi.net.
Përgatitja e Pastiços me Mish të Grirë
Përbërësit
Përbërësit bazë
350 gr makarona
110 gr djathë të bardhë
2 kokrra vezë
Për salcën me mish të grirë
700 gr mish të grirë
2 kokrra qepë
3 thelpinj hudhra
400 gr domate të grira
1 lugë salcë domatesh pure
Një gotë verë
1 gjethe dafine
3 lugë gjelle vaj ulliri
Kripë
Piper i zi
Për kremin e qumështit (beshamelën)
½ filxhan çaji me miell gruri
½ filxhan çaji me gjalpë të tretur
900 ml qumësht
2 të verdha veze
100 gr djathë të grirë kaçkavall
Përgatitja
Përgatitjen e kësaj recete, niseni duke përgatitur si fillim salcën me mish të grirë.
Vendosni një tigan të madh në zjarr dhe shtoni vajin e ullirit. Shtoni qepët e grira hollë dhe përzjeini derisa të zbuten.
Shtoni më pas hudhrat e grira, lugën me salcën e domateve dhe mishin e grirë. Kaurdisini të gjitha bashkë përmes një luge druri.
Pasi masa të mos ketë më lëng shtojini nëse preferoni gotën me verë dhe prisni derisa ajo të avullojë.
Më pas, shtoni domatet, kripën, piperin e zi dhe gjethen e dafinës.
Lërini të ziejnë me lëngun e domateve në zjarr të ngadaltë dhe kaurdiseni masën herë pas here derisa lëngu të avullojë. Pasi të jetë gati, gjethen e dafinës largojeni nga salca.
Më pas, nisni përgatitjen e kremit të qumështit, siç njihet ndryshe edhe beshamelë.
Vendosni një tigan të madh në zjarr të ngadaltë. Shtoni gjalpin e tretur dhe më pas miellin dhe përzjeini të dyja bashkë derisa të shkrihen me njëra tjetrën duke krijuar një salcë.
Shtoni nga pak qumësht të ngrohtë dhe përzjeheni vazhdimisht në mënyrë që salcë të mos bëhet me kokërriza.
Përzjeheni derisa salca të trashet dhe të bëhet kremoze.
Më pas, largojeni nga zjarri, shtojini dy të verdhat e rrahura të vezës dhe përzejeheni shpejt që të mos pritet. Shtoni kripë, piper.
Pasi të keni bërë gati gati salcën me mish të grirë dhe kremin e qumështit. Mbushni një tenxhere me ujë, hidhini pak kripë vendoseni në zjarr dhe sapo uji të nisë të vlojë shtoni aty makaronat.
Lërini të ziejnë për maksimumi 3-4 minuta. Më pas, largojini makaronat nga zjarri dhe kullojini.
Në një tas shtoni dy vezë dhe përzjeini me djathin e bardhë. Me këtë masë lyeni makaronat që sapo keni kulluar.
Më pas, lyejeni tepsinë me gjalpë në të gjithë sipërfaqen e saj, shtoni makaronat e përzjera me djathin e bardhë dhe vezët.
Shtoni sipër salcën me mish të grirë dhe më pas shtoni në të gjithë sipërfaqen kremin e qumështit dhe spërkateni me djathin kaçkavall të grirë.
Futeni të piqet në furrë të parangrohur në 200 gradë për 40 minuta derisa sipërfaqja të marrë ngjyrë të kuqërremtë të artë. Pasi të fikni furrën lëreni të ftohet për 30 minuta e më pas shërbejeni. /Lajmi.net/