Rebelët tërheqin armët e rënda nga Ukraina

Rebelët pro-rusë në Ukrainën lindore janë pajtuar që të fillojnë të heqin nga vija e frontit armët e rënda, ka thënë një gjeneral rus, i cili është i përfshirë në procesin e zbatimit të armëpushimit mes Ukrainës dhe Rusisë.

Bota

22/02/2015 12:39

Gjenerali Alexander Lentsov tha se rebelët pro-rusë kanë nënshkruar urdhrat për të përfunduar tërheqjen gjatë dy javëve të ardhshme, duke filluar nga sot.

Kjo lëvizje vjen pasi që  Ukraina dhe separatistët shkëmbyen 191 të burgosur, që është edhe çelësi i marrëveshjes së armëpushimit në Minsk.

Por, nuk është ende e qartë nëse ky hap do të jetë reciprok edhe nga ana e Ukrainës.

Ky është hapi i parë i kryer me sukses sipas kushteve të marrëveshjes së 12 shkurtit, të nënshkruar në kryeqytetin e Bjellorusisë, të ndërmjetësuar nga Franca dhe Gjermania.

Marrëveshja e shkëmbimit erdhi pasi që sekretari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, John Kerry planifikonte “sanksione serioze” kundër Rusisë dhe vendimi pritej të merrej në ditët e ardhshme.

Sipas OKB-së, rreth 5,700 persona kanë vdekur prej se filluan luftimet në prill të vitit të kaluar në Ukrainën lindore, në rajonin Donetsk dhe Luhansk. (Kosovapress)