Reali i madh, shkon në finalen e Lisbonës
Real Madridi është finalisti i parë i Ligës së Kampionëve për këtë sezon. Gjiganti madrilen ka shënuar fitore të thellë ndaj Bayern Munichut 4:0, në ndeshjen e kthimit gjysmëfinale, për të shkuar në finale pas 12 vjetësh.

Sport
Feston Madridi. Real Madridi është kualifikuar në finale të Ligës së Kampionëve pas 12 vjetësh.
Gjiganti spanjoll e mposhti me rezultat të thellë, 4:0 Bayern Munichun midis Allianz Arenas, për t’u bërë finalisti i parë i këtij edicioni në këtë kompeticion.
Sergio Ramos ka shënuar dy gola (16’ e 20’), ndërsa dy tjera i ka shtuar edhe Cristiano Ronaldo (34’ e 89’), për ta çuar Realin në finalen e madhe të Lisbonës.
‘Los Blancos’ kishin fituar edhe në ndeshjen e parë, 1:0, në Santiago Bernabeu, ndërsa tash e konfirmoi fuqinë, duke fituar edhe në udhëtim.
Reali do ta kuptojë të mërkurën mbrëma kundërshtarin e finales, pasi të zhvillohet ndeshja e kthimit ndërmjet Chelseat dhe Atletico Madridit.