Reagon Qeveria: Jemi të angazhuar në garantimin e rendit dhe sigurisë
Qeveria e Republikës së Kosovë ka reaguar ndaj hulumtimit të publikuar të hënën nga KIPRED, ku këta të fundit thanë se institucionet e vendit nuk janë në nivelin e duhur kur bëhet fjalë për menaxhimin e situatave në sektorin e sigurisë dhe kërcënimet nga terrorizimi.

Lajme
Me këtë rast, Qeveria sqaron opinionin publik lidhur me pretendimet e prezantuara nga Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillim të Politikave (KIPRED), se të gjitha dikasteret relevante të Qeverisë së Kosovës, dhe bartësit e tyre, janë të angazhuara plotësisht në përmbushjen e obligimeve kushtetuese dhe ligjore për garantimin e rendit dhe të sigurisë publike në territorin e Kosovës.
“Udhëheqësit më të lartë të Qeverisë së Kosovës janë në koordinim të vazhdueshëm me të gjitha institucionet e thirrura për ruajtjen e rendit dhe të sigurisë në Kosovë, për të bashkërenditur veprimet me qëllim të garantimit të sigurisë në vend”.
“Qeveria e Kosovës po ashtu ka bashkëpunim dhe koordinim të afërt me të gjithë partnerët ndërkombëtarë dhe rajonalë për të luftuar çdo formë të mundshme të cenimit të rendit dhe të sigurisë në Kosovë dhe më gjerë”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.
Në këtë kontekst, sipas tyre, Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar maksimalisht, duke qenë pjesë e angazhimeve të përbashkëta të botës demokratike, të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në luftën kundër terrorizmit dhe parandalimin e të gjitha formave të ekstremizmit dhe radikalizmit të dhunshëm.
Andaj, përtej perceptimeve të plasuara nga anketat apo format e tjera të hulumtimeve të pjesshme, Qeveria e Republikës së Kosovës siguron qytetarët e Kosovës se institucionet e shtetit janë në nivel të detyrës së tyre për ruajtjen e plotë të rendit dhe të sigurisë në vend.