Reagon Naser Rugova, LDK u lidh me mohuesit e Ibrahim Rugovës

Pas Eqrem Kryeziut, edhe Naser Rugova ka shprehur dyshime lidhur me marrëveshjen e nënshkruar sot mes LDK-AAK-NISMA dhe Vetëvendosjes.

Lajme

10/09/2014 19:41

Sipas Rugovës, Vetëvendosje është parti e cila ka mohuar gjithçka që lidhet me Ibrahim Rugovën.

Madje, ai ka marrë shembullin e urtisë së Ibrahim Rugovës në situata të ndjeshme për Kosovën, duke thënë se një lider i tillë po i mungon aktualisht LDK-së.

Rugova thotë se LDK nuk duhet të heq dorë kurrë nga integrimi i Kosovës në BE, si dhe të ruajë miqësinë me SHBA-të

“Kam shumë arsye të jem skeptik ndaj qëllimeve finale të Lëvizjes Vetëvendosje, e cila edhe më tutje vazhdon ta mohojë gjithë trashëgiminë politike të presidentit Rugova. Të gjithë kolegët në LDK duhet t’i përkujtojë për slloganin themeltar të LDK-së: Kosova e integruar në BE dhe NATO, si dhe në miqësi të përhershme me SHBA-të. Ky qëndrim është vlerë e LDK-së dhe nuk duhet të cenohet në asnjë mënyrë, pavarësisht sfidës apo tundimit”, ka shkruar ai.

Ja edhe reagimi i plotë i Naser Rugovës:

“Shumë miq dhe përkrahës të mi më kanë pyetur për qëndrimin tim në lidhje me zhvillimet e fundit rreth formimit të institucioneve dhe koalicionit, fillimisht me AAK dhe Nismën dhe tani edhe më Vetëvendosjen.

Si institucionalist dhe anëtar i strukturave të LDK-së, qëndrimi im publik nuk mund të jetë ndryshe pos atij të formuluar nga ana e organeve të partisë, sepse përderisa e kanë legjitimitetin e udhëheqjes duhet që, pavarësisht vërejtjeve personale, të angazhohemi në jetësimin e qëllimeve zyrtarë të partisë.

Megjithatë, si njeri dhe si intelektual duhet t’i them dy gjëra:

Sot, më shumë së kurrë, në skenën politike të Kosovës, por edhe në forumet partiake të LDK-së, ndihet mungesa e një lideri gjithëpërfshirës, të urtë dhe vizionar siç ishte Presidenti ynë Dr. Ibrahim Rugova. Nën udhëheqjen e një lideri të tillë, LDK asnjëherë nuk do të binte në pozitën që të mos dilte e para në zgjedhje dhe LDK asnjëherë nuk do të lejonte që vendi të futet në situata potencialisht konfliktuoze. Nuk duhet të harrojmë qëndrimin përtej vetvetes të Presidentit në Rambuje, qëndrimin e Presidentit menjëherë pas luftës si dhe zemërgjerësinë dhe urtësinë e tij që t’i tejkalonte sfidat, gjithnjë duke u kujdesur që të ruhet uniteti, qetësia dhe të mos dëmtohet bërthama e popullit tonë. Sot them me plot gojë – President, na mungon më shumë se kurrë.

Kam shumë arsye të jem skeptik ndaj qëllimeve finale të Lëvizjes Vetëvendosje, e cila edhe më tutje vazhdon ta mohoj të gjithë trashëgiminë politike të Presidentit Rugova. Të gjithë kolegët ne LDK, duhet t’i përkujtojë për slloganin themeltar të LDK-së: Kosova e integruar në BE dhe NATO si dhe në miqësi të përhershme me SHBA-të. Ky qëndrim është vlerë e LDK-së dhe nuk duhet të cenohet në asnjë mënyrë, pavarësisht sfidës apo tundimit. Raportet me miqtë tanë ndërkombëtarë i kemi trashëgimi të traditës sonë politike dhe emblemë të shpirtit shtetformues të LDK-së. Nëse nuk e ruajmë këtë atëherë jemi LDK vetëm në emër, por jo edhe në vepër.

Të tjerat i dinë zyrtarët aktualisht udhëheqës të LDK-së dhe shpresoj në më të mirën për të gjithë, për Kosovën dhe për LDK-në .

sinqerisht,

Dr. Naser Rugova”.