Reagon moderatorja e lajmeve të mbrëmshme në RTK: Bëhem artikuluese përmes zërit tim, por jo formuluese

Moderatorja e lajmeve qendrore të mbrëmshme në RTK, Alketa Gashi Fazliu ka reaguar pasi ka kumtuar lajmin e mediumit boshnjak në lidhje me mediat kosovare. Përmes një postimi në Facebook, ajo ka sqaruar se si folëse në mediumin publik nuk është edhe formuluese e lajmeve që publikohen. “Bëhem artikuluese përmes zërit tim, por jo formuluese.…

Lajme

23/07/2024 15:28

Moderatorja e lajmeve qendrore të mbrëmshme në RTK, Alketa Gashi Fazliu ka reaguar pasi ka kumtuar lajmin e mediumit boshnjak në lidhje me mediat kosovare.

Përmes një postimi në Facebook, ajo ka sqaruar se si folëse në mediumin publik nuk është edhe formuluese e lajmeve që publikohen.

“Bëhem artikuluese përmes zërit tim, por jo formuluese. Kështu ngjet me çdo homolog apo homologe timen nëpër mediat publike në çdo vend e kryesisht në Europë. Reagimet e shumta ndaj lajmit të lexuar, në datën 22.07.2024 në orën 19:34 në edicionin qendror, natyrisht më kanë shkaktuar në ndërgjegjen time dhe veçanërisht atë profesionale, shqetësim dhe ndjeshmëri të lartë”, ka shkruar Gashi Fazliu. 
Ajo ka thënë se dazetarët e medias publike përherë gjenden para tehut të kritikave të palëve dhe të të tjerëve që e kanë hobi kritikën dhe sulmin kryqëzues.
“Nuk jam dhe nuk ka se si të jem e përfshirë në formulimet, politikat apo në qëndrime redaktoriale për asnjë çështje dhe veçanërisht lajm. Statusi dhe pozicioni që kam në institucionin audioviziv publik të Kosovës, ma ka përcaktuar dhe ma bën të ditur për çdo edicion informativ mospërfshirjen. Kolegë, të nderuar: jam ajo që kam qenë, do të jem kjo që jam…edhe pse po m’binë hise do situata të vështira!”, ka shkruar Alketa Gashiu Fazliu. 
Për dallim nga disa nga kolegët e saj të RTK-së, Alketa Gashiu Fazliu nuk është distancuar nga rasti i mbrëmshëm.