Reagon Memli Krasniqi: PDK u konfirmua si partia më e votuar në Kosovë, yllin e kësaj fushate Arian Tahirin e mposhti aparati shtetëror
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka reaguar për herë të parë pas balotazhit të djeshëm dhe rezultateve të arritura të kësaj parti enë nivel lokal. Memli Krasniqi ka falënderuar qytetarët dhe kandidatët pas përmbylljes së raundit të dytë të zgjedhjeve lokale, duke vlerësuar rezultatet e arritura nga subjekti që ai drejton. Krasniqi tha se me…
Lajme
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka reaguar për herë të parë pas balotazhit të djeshëm dhe rezultateve të arritura të kësaj parti enë nivel lokal.
Memli Krasniqi ka falënderuar qytetarët dhe kandidatët pas përmbylljes së raundit të dytë të zgjedhjeve lokale, duke vlerësuar rezultatet e arritura nga subjekti që ai drejton.
Krasniqi tha se me 187 mijë e 526 vota, PDK u konfirmua si partia më e votuar në vend dhe me 206 asamblistë të zgjedhur, mbetet forca me përfaqësimi më të gjerë lokal.
Krasniqi ndaloi edhe tek emri i Arian Tahirit, kandidatit të PDK-së në jug të Mitrovicës, i cili humbi garën karshi Faton Pecit.
Krasniqi tha se Tahiri ishte i vetëm përballë tërë aparatit shtetëror, transmeton lajmi.net.
“Me këtë rast, dua të shpreh mirënjohjen dhe respektin e veçantë për mikun tim, yllin e kësaj fushate, Arian Tahirin në Mitrovicë, i cili, i vetëm përballë tërë aparatit shtetëror, bëri një garë të fortë, dinjitoze dhe të ngushtë deri në fund.”, ka shkruar Krasniqi.
Ky është postimi i tij i plotë:
Të dashur bashkëqytetarë,Partia Demokratike e Kosovës e ka përmbyllur me sukses një tjetër kapitull të rëndësishëm të jetës demokratike të vendit tonë.Me 187,526 vota, PDK u konfirmua si partia më e votuar në Kosovë. Me 206 asamblistë të zgjedhur, mbetëm forca me përfaqësimin më të gjerë lokal në vend.Dhe me gjashtë komuna të fituara, Ferizaj, Prizren, Skenderaj, Vushtrri, Kaçanik dhe Han i Elezit, PDK dëshmoi se suksesi ndërtohet mbi punë me rezultate dhe përfaqësim me dinjitet.Në katër prej ballafaqimeve direkte në balotazh me pushtetin qëndror, ne i fituam tri prej tyre.
Po, disa gara kanë qenë më të vështira, madje edhe të pabarabarta. Por për ne, çdo përpjekje e ndershme është fitore në vetvete, sepse PDK nuk e mat suksesin vetëm me numra, por me qëndresën, qetësinë dhe përgjegjësinë me të cilat e përfaqëson qytetarin në çdo rrethanë.
Sot dua të falënderoj nga zemra të gjithë kandidatët tanë për kryetarë komunash, në çdo qytet të Kosovës, për angazhimin, dinjitetin dhe energjinë që kanë dhënë gjatë këtij procesi.Për shumë prej tyre, koha do të vijë, sepse puna, karakteri dhe përkushtimi që kanë dëshmuar janë garanci për të ardhmen.
Me këtë rast, dua të shpreh mirënjohjen dhe respektin e veçantë për mikun tim, yllin e kësaj fushate, Arian Tahirin në Mitrovicë, i cili, i vetëm përballë tërë aparatit shtetëror, bëri një garë të fortë, dinjitoze dhe të ngushtë deri në fund.
Mirënjohje edhe për çdo aktivist, mbështetës, vullnetar dhe asamblist, për kontributin dhe energjinë e tyre.Një falënderim i veçantë i shkon të gjithë qytetarëve të Kosovës, anembanë vendit, të cilët me pjesëmarrjen dhe kulturën e tyre demokratike, e bënë këto zgjedhje një shembull për rajonin dhe më gjerë.Partia Demokratike e Kosovës sot qëndron më e bashkuar, më e pjekur dhe më e përgatitur për sfidat që na presin.
Në ditët në vijim, do të përqendrohemi në forcimin e bashkëpunimit me qytetarët, në përmirësimin e qeverisjes lokale dhe në konsolidimin e strukturave tona anembanë vendit.
Sepse ky rezultat nuk është fundi, por fillimi i një kapitulli të ri, kapitulli i bashkimit, rigrupimit dhe përgatitjes për fitoret e ardhshme.PDK nuk ndalet.Sepse PDK është e qytetarëve.PDK është e Kosovës.Dhe me PDK-në, ditët më të mira janë përpara vendit tonë!Faleminderit nga zemra, Kosovë!./Lajmi.net/